Vonesat e autostradës alarmojnë qeverinë
KUKËS- Qeveria shqiptare ka dhënë alarmin “SOS” lidhur me zvarritjet e punimeve në segmentin rrugor Morinë-Kukës-Myç-Mamëz, të autostradës që është marrë përsipër të ndërtohet nga firmat shqiptare. Paraditen e djeshme zyrtarë nga tre institucione të rëndësishme shtetërore kanë shkuar në Kukës, ku kanë zhvilluar një takim urgjent në lidhje me situatën. Vetëm tre javë më parë kryeministri Berisha ishte në këtë zonë dhe vlerësoi arritjet e firmave shqiptare duke thënë se gjithçka po ecte sipas projektit ndërsa dje, vartësit e tij kanë bërë publike një sërë problemesh që kanë lidhje me vonesat e projektit dhe shpronësimet.
Vetëm tre javë më parë, kryeministri vizitoi punimet e rrugës dhe gjatë një prononcimi për mediat theksoi se kompanitë shqiptare po bëjnë një punë të mirë në këtë segment. “Në tërësi afatet janë mbajtur. Ka pasur momente shmangiesh, por mundësia e kompensimit për kohën e humbur është e plotë. Kompania po punon në këtë trajektore ka përgjegjësinë më të madhe pasi ka për të ndërtuar urat, është zotuar të shpejtojë punimet dhe faktikisht po i shpejton punimet. Ka pasur disa vështirësi që janë të natyrës teknike. Këto janë zgjidhur me ministrinë ku janë qartësuar kontratat dhe tani kompania nuk ka më pengesa me urat. Kam shumë kënaqësi që këtë segment e ndërtojnë kompanitë shqiptare”,- tha tre javë më parë kryeministri Berisha. Por dje, një ekip qeveritar nga Ministria e Transporteve, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve dhe nga ALUIZNI kanë udhëtuar urgjent drejt Kukësit ku kanë zhvilluar një takim me zyrtarët vendorë lidhur me problemet e shpronësimeve në terrenin ku po kalon autostrada. Zyrtarët nga Tirana kanë bërë me përgjegjësi vendorët e Kukësit, lidhur me vonesat në përgatitjen e dokumentacionit për njohjen e pronave. Por ata janë përgjigjur duke i akuzuar se po vonojnë akordimin e parave lidhur me shpronësimet. Por sipas drejtorit të Përgjithshëm të Rrugëve, Andi Toma, pushteti vendor në Kukës është ende në fazën fillestare lidhur me përgatitjen e dokumentacionit për projektin e ndryshuar prej 2.75 kilometrash. Ky projekt ka ndryshuar nga kilometri 9 deri në kilometrin 11.75, për motive që ende nuk janë sqaruar plotësisht. Në bazë të projektit të mëparshëm, rruga kalonte përbri një numri pallatesh banimi të lagjes nr. 3 të Kukësit. Ky fakt është përdorur nga drejtuesit vendorë, të cilët kanë bërë presion për të ndryshuar projektin.
Në takimin e djeshëm kanë marrë pjesë edhe drejtues të policisë së qarkut. Përfaqësues të kompanisë supervizore si dhe ato kontraktore kanë kërkuar nga policia bashkëpunimin më të mirë dhe krijimin e lehtësirave të nevojshme e kushteve sa më optimale të sigurisë dhe të punës. Në shumë raste, pretendentët për pronarë tokash në territorin ku po kalon autostrada, kanë penguar firmat sipërmarrëse në kryerjen e punimeve. Pikërisht për të realizuar mbarëvajtjen në kryerjen e punimeve, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në aksin rrugor Morinë-Kukës-Myç-Mamëz, janë instaluar Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës. Ata qëndrojnë pranë kantiereve dhe shpesh herë shoqërojnë lëvizjet e mjeteve të rënda të firmave ndërtuese. Bashkim Shala
Mungesa e projektit shtyn përfundimin e punimeve
Buxheti i shtetit ka akorduar për këtë vit 33 milionë Euro shtesë për ndërtimin e rrugës Morin-Kukës-Myç-Mamëz. Kjo shumë do të shërbejë për financimin e punimeve të pakryera nga dy në katër korsi dhe shtesave në projekt siç janë një numër i madh muresh mbajtëse si pasojë e shembjeve dhe lëvizjeve të dheut të paparashikuara në projekt. Vetëm në objektin në afërsi të Galerisë nr.5 në Gjegjan janë shtuar rreth 3.5 milionë USD për kryerjen e punimeve shtesë, ndërkohë që në fshatin Pobreg janë shtuar rreth 600 mijë USD. Kjo, sipas specialistëve, ka ardhur si pasojë se projekti nuk ka studimet gjeologjike dhe gjeo-mekanike. Ndërkohë që gjysma e shumës prej 33 milionë Eurosh do të përdoret për financimin e urave dhe viadukteve nga dy në katër korsi. Firmat ekzistuese që po ndërtojnë segmentin rrugor Morinë-Kukës-Myç-Mamëz nuk kanë qenë korrekte në afatet e dorëzimit të punimeve. Në bazë të kontratës, punimet në këto segmente duhej të përfundonin në shkurt të këtij viti. Por mungesa e projektit dhe vonesat e tjera kanë bërë që punimet të shtyhen pa ndonjë afat të saktë. B. Sh
Shpronësimet
Problem mbeten banorët që nuk kanë dokumentacionin e nevojshëm dhe çmimi i ulët i akorduar nga qeveria
Qeveria akordoi fondin por ende nuk nisin shpronësimet
Disa nga shpronësimet e tokave nga ku po kalon autostrada Kalimash-Morin vazhdojnë të jenë ende në fazën e hartimit të dokumentacionit nga ana e pronarëve dhe zyrtarëve të kthimit të pronave, ndërkohë që shteti shqiptar ka akorduar rreth 3.75 milionë Euro për kompensimin e pronarëve të tokave. Paratë janë dhënëpër rreth 75 hektarë tokë bujqësore, 17 shtëpi banimi, një pikë karburanti si dhe varrezat e fshatit Morinë. Ndërkohë që shumë prej objekteve të shpronësuara kanë filluar të rrënohen si në fshatin Morin, Bardhoc, Pobreg e Myç-Mamëz. Problem vazhdojnë të mbeten objektet në projektin e ndryshuar nga kilometri 9 deri në 11.5 në hyrje dhe dalje të qytetit të Kukësit në disa banesa dhe prona të fshatit Gostil dhe Shtiqën. Vlera prej 3.75 milionë Euro është vetëm për shpronësimet e 25 kilometrave rrugë nga pikëkalimi kufitar i Morinës deri në kilometrin e tretë, në dalje të qytetit të Kukësit, në një gjatësi prej 25 kilometrash. Regjistruesi i Zyrës së Pasurive të Paluajtshme në Kukës, Ali Tota, thotë se disa objekte sidomos ato të projektit të ndryshuar të autostradës vazhdojnë të jenë në fazën e hartimit të dokumenteve ku në proces janë 120 pronarë, të cilët kërkojnë shtesë tapie për efekt shpronësimi në autostradë, ndërsa rreth 30 pronarë të tjerë janë pajisur me certifikatën e pronësisë dhe janë në pritje të shpronësimit. Instituti i Studimittë Tokave në Tiranë ka përcaktuar edhe kategorinë e tokës nga ku do të kalojë autostrada në 25 kilometrat e saj, që nga pika e kalimit kufitar të Morinës deri në kilometrin e 25-të të saj, ose më saktë tre kilometra në të dalë të Kukësit në drejtim të Tiranës. Specialistët e kanë përcaktuar tokën ku do të kalojë autostrada si tokë të kategorisë së gjashtë apo të shtatë. Çmimi për këtë kategori të tokës është pesë Euro për metër katror për tokën bujqësore, ndërsa për tokën truall është përcaktuar çmimi 10 Euro për metër katror. Sipas zyrtarëve të ALUIZNI-it, subjektet në ndonjë rast kanë fryrë tej mase çmimet e objekteve që do të shpronësohen, prandaj kërkohen që ekspertë të licencuar të bëjnë rivlerësimin e këtyre objekteve. Ndërkohë shumica prej pretendentëve për pronarë tokash nuk kanë paraqitur dokumentacionin e duhur, pasi tokat e tyre i kanë çregjistruar për të marrë përkrahje sociale. Gjatë 15 vjetëve, pretendentët për pronarë tokash kanë paraqitur dokumente sikur nuk kanë tokë, ndërkohë që tani pretendojnë se janë pronarë tokash. B. Shala