Panik tek Juridiku, 20-vjeçari hyn me thikë në klasë
TIRANË- Refuzimi i vajzës që dashuronte, ka detyruar një 20-vjeçar të hyjë i armatosur në klasën ku ajo studionte duke anuluar një provim ndërsa ka krijuar panik në fakultetin Juridik në Tiranë. Ngjarja e cila ka për protagonist 20-vjeçarin Gentian Goxhaj, ka ndodhur rreth orës 9:00 të mëngjesit të djeshëm kur ai me një armë të ftohtë në duar ka hyrë në fakultetin e Juridikut në Tiranë. Ka qenë profesori, i cili sapo kishte shpërndarë testet e provimit, që ka lajmëruar policinë. Efektivat e komisariatit të policisë nr.2, mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes për të zbuluar rrethanat dhe autorin. Burime nga policia thanë për “Shekullin” se dyshohet që Goxhaj të ketë pasur lidhje dashurore në gjimnaz me studenten 20-vjeçare M.R, me të cilën është ndarë pasi kjo e fundit dashuron një djalë tjetër. Goxhaj është shpallur në kërkim nga policia e cila po punon për kapjen e tij.
Ngjarja
Gentian Goxhaj dhe vajza me iniciale M.R, kishin qenë në një klasë në gjimnaz. Që atëherë Goxhaj ishte dashuruar pas saj, por sipas vajzës ajo nuk e kishte pranuar asnjëherë dashurinë e tij. Megjithëse shoqja e klasës e kishte refuzuar, kjo nuk e kishte penguar 20-vjeçarin të shkonte pas saj për disa vite madje edhe kur M.R, shkoi në fakultet aivazhdonte t’i shprehte dashurinë e tij. “Unë nuk kam qenë asnjëherë e lidhur me Gentianin. Ai më ngacmonte që në gjimnaz por unë nuk e doja. Ai është si i sëmurë mendor. Jam e lidhur prej dy vitesh me një djalë, të cilin e kam në klasë në fakultet” tregoi për “Shekullin” vajza M.R, për të cilën Gentian Goxhaj shkaktoi tmerr në Fakultetin e Juridikut. “Sot (dje) në mëngjes unë isha bashkë me të dashurin tim në oborrin e fakultetit dhe po prisnim të hynim në sallë për të dhënë një provim. Gentiani më afrohet dhe më thotë të shkoja ta takoja pasi donte të më thoshte diçka por nuk pranova pasi kam një të dashur dhe aq më tepër që në atë moment ndodhesha me të. Ai largohet dhe mendova se do të më linte të qetë. Pak minuta më pas rreth orës 9:00 sapo kishim hyrë në klasë për të dhënë provimin kur Gentiani me një thikë në dorë shfaqet brenda në sallë. Vajzat e klasës filluan të bërtisnin ndërsa unë i dola përpara të dashurit tim për ta mbrojtur nga ndonjë goditje pasi dyshova se Gentiani mund të qëllonte atë” tregoi më tej për gazetën M.R. “I thashë të largohej dhe pasi kërcënoi ai iku me shpejtësi. Profesori doli jashtë dhe lajmëroi policinë” shtoi vajza duke mohuar dyshimet e policisë se kishte pasur lidhje më parë me autorin.
Policia
Me anë të një telefonate profesori ka lajmëruar policinë e Tiranës e cila mbërriti menjëherë. Oficerët e policisë së komisariatit nr.2, regjistruan denoncimin e vajzës e cila tregoi identitetin e autorit dhe shkakun e ngjarjes. Ndërkohë që studentët braktisën provimin dhe të tmerruar kanë dalë në oborr. Profesori i lëndës ka lejuar anulimin e provimit pasi studentët u tronditën kur panë 20-vjeçarin të kërcënonte me thikë në dorë. Madje ai ka kërcënuar me thikë edhe pedagogun që i ka dalë përpara. Pas kësaj, Goxhaj mundi të largohej me shpejtësi duke iu shpëtuar prangave të policisë. Burime policore thanë se janë marrë në pyetje studentët dhe profesori, ndërsa 20-vjeçarja M.R ka dëshmuar për disa orë në polici njohjen e saj me Goxhaj i cili tashmë është shpallur person në kërkim.