Ari Han: Turi në Greqi, shumë pozitiv
Trajneri i përfaqësueses shqiptare, Ari Han, ka mbyllur të dielën turin e tij katërditor në Greqi, ku ka parë nga afër disa nga futbollistët shqiptarë që aktivizohen në kampionatin helen. Sipas një prononcimi të dhënë për "albaniasoccer.com", tekniku holandez ka mbetur i kënaqur me rezultatet e kësaj vizite, ku ka ndjekur ndeshjen e mbrojtësit Kristi Vangjeli, si dhe stërvitjen e portierit Enea Koliqi, dy lojtarë që duket se bëjnë pjesë në planet e tij për të ardhmen. Normalisht Han ka preferuar të mos japë komente të drejtpërdrejta për lojtarët, por ka deklaruar se ka marrë përgjigjet që kërkonte nga këta futbollistë.
Han e filloi vizitën e tij në Greqi me inspektimin e stërvitjeve të Arisit të Selanikut, ku vëzhgoi nga afër mbrojtësin Kristi Vangjeli. Futbollisti që është aktivizuar në 8 ndeshje me fanellën kuqezi, bën pjesë në planet e Han, i cili ka qenë në stadium gjatë fundjavës për ta parë nga afër futbollistin në fjalë gjatë takimit Aris-Veria. Më pas, vizita e tij në Greqi ka vazhduar në një tjetër stadium të Selanikut, ku ka ndjekur takimin e ish-skuadrës së tij, PAOK, me Olimpiakosin, të përfunduar në barazim 1-1. Tekniku holandez ka bërë të qartë në prononcimin e tij për "albaniacoccer.com" se eksperiencat e mëparshme në Greqi e kishin ndihmuar të krijonte miq në këtë vend. "Unë kam shumë miq në Selanik dhe shpeshherë vij për pushime me familjen. Më pëlqen dhe më qetëson ambienti këtu", u shpreh Han. Më pas ai foli edhe për arsyen e vërtetë të vizitës së tij në Greqi. "Kam ndjekur nga afër Kristi Vangjelin, si në stërvitje, ashtu edhe në ndeshjen ndaj Verias. Pata një bisedë të gjatë me të dhe u takuam disa herë, si përpara ndeshjes, ashtu edhe pas saj. Fola edhe me trajnerin e tij. Gjithashtu ndoqa edhe një stërvitje të skuadrës së portierit Enea Koliqi dhe ndoqa nga afër takimin Iraklis-AEK", ka treguar tekniku i përfaqësueses, i cili është munduar të takojë edhe sulmuesin Alban Bushi, që aktualisht është i dëmtuar. "U interesova edhe për Bushin, por u sinjalizova se ai nuk ishte në Selanik", vijoi trajneri i përfaqësueses, i cili është njoftuar se sulmuesi shqiptar ishte për kurim në Athinë.
Ndonëse nuk ka zbuluar detaje të bisedave me futbollistët, trajneri Han e ka cilësuar pozitive këtë "vizitë prezantimi" me futbollistët shqiptarë, të cilët luajnë në ekipin përfaqësueses. "Fola me ata që duhej të flisja dhe mora ato informata që më interesonin, për të cilat kisha ardhur. Nuk kam dëshirë të hyj në detaje, sepse bisedat ishin të parat që zhvillova me lojtarë dhe kryesisht ishin një prezantim dhe njohje e parë midis palëve, ku them se spikati pozitiviteti. Për mua ishte një javë shumë e suksesshme pune në Selanik", deklaroi trajneri i Kombëtares. Plani i punës i Ari Han pas kthimit në Gjermani do të jetë turi në Bundesligë, për të parë nga afër futbollistët shqiptarë që aktivizohen në këtë kampionat si Lala, Skela dhe Kapllani, por edhe të riun Shaban Ismaili, që e ka provuar në zborin e Antalias.