Vrasja dhe groposja e Pëllumb Metës, dënohet me burg përjetë djali Hysni Meta! 16 vite heqje lirie për dy fëmijët dhe nënën e tyre

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka dhënë vendimin për tre fëmijët e Pëllumb Metës, i vrarë me armë zjarri më 10 shkurt të 2024-ës në Shënavlash të Durrësit.
Treshja e trupit gjykues e drejtuar nga Xhevdet Lika ka vendosur dënim me burg përjetë për djalin e viktimës Hysen Meta, kurse vajza, Hygerta Meta, është dënuar me 8 vjet heqje lirie.
Me 5 vjet heqje liri është dënuar djali i vogël i familjes Amarildo Meta, ndërsa bashkëshortja e Pëllumb Metës, Blerina Meta me 3 vjet heqje lirie.
Gjatë kohës që është dhënë vendimi, i pranishëm në sallë ka qenë vetëm Amarildo Meta.
Në ndryshim nga prokuroria e cila në pretencën e saj kërkoi dënimin e vajzës me 30 vjet heqje lirie, gjykata vlerësoi se Hygerta Meta nuk është fajtore për veprën penale të vrasjes, por vetëm për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”.
Ngjarja e rëndë ndodhi të 10 shkurt 2024, ku Pëllumb Meta u qëllua me armë zjarri brenda shtëpisë nga djali i madh i tij Hysen Meta pas debateve familjare dhe më pas në bashkëpunim me pjesëtarët e tjerë të familjes, trupin e varrosën në kasollen e bagëtive.
Kujtojmë se Hysen Meta denoncoi në Komisariatin e Durrësit më 13 shkurt, humbjen e babait të tij. Pas hetimeve të kryera, rezultoi se fëmijët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, vranë dhe groposën babanë e tyre.
/rtsh.al/