Vrau 15 vite më parë, arrestohet 34-vjeçari
Vihet në pranga një 34-vjeçar për një vrasje të kryer 15 vite më parë. Policia e Fierit në bashkëpunim me Drejtorinë e Luftës Kundër Krimeve të Rënda të Policisë së Shtetit dhe Interpol Tirana, finalizuan sot operacionin "Rrethi i Kujtesës", duke zbardhur vrasjen e kryer në vitin 1993.
Sipas burimeve policore, bëhet e ditur se në pranga ka rënë shtetasi 34-vjeçar Konstandin Konda. “Ai u arrestua në Greqi pasi u arrit të dokumentohej autorësia e tij në vrasjen me paramendim të shtetasit Bashkim Hamitaj, në gusht 1993, në Fier"- thanë burimet policore.
Në 16 qershor të këtij viti, pas një hetimi 5 mujor të strukturave të posaçme të policisë shqiptare, Gjykata e Fierit caktoi masën e sigurisë"arrest me burg" për Kondën, me akuzën e "vrasjes me paramendim dhe mbajtjes pa leje e armëve luftarake".
Aarrestimi i tij, sipas policisë u bë në bashkëpunim mes Interpol Tiranës dhe Interpol Athinës. Materialet proceduriale në ngarkim të shtetasit Konstandin Konda për veprat penale të vrasje me paramendim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake, i kaluan Prokurorisë së Fierit.