E Diel, 1 Nëntor 2026

Qyteti i Beratit pranohet në UNESCO

Berat- Qyteti i Beratit është pranuar në UNESCO. Komisioni i UNESCO-s, me 21 vota pro, ka vendosur që qyteti 2400-vjeçar të bëhet pjesë e Trashëgimisë Botërore. Lajmin e ka bërë publik vetë kryetari i bashkisë së qytetit, Fadil Nasufaj, i cili ka falenderuar dhe ka shprehur mirënjohjen e tij në emër të qytetarëve për nderin që iu bë qytetit. Ai e ka quajtur atë një nder, por njëherësh edhe një përgjegjësi të lartë. Sipas tij do të bëhet e pamundura për përçimin e vlerave që ky qytet mbart dhe do të gjenden mundësi finaciare për zhvillimin e mëtejshëm. Në dosjen e dërguar për miratim, zona e propozuar për të hyrë në listën e trashëgimisë botërore ishte pikërisht Qendra Historike e Beratit, ku përfshihet lagjia Kala, Mangalem dhe Gorricë, me të gjitha objektet që ndodhen në to, duke filluar që nga rrugët, kalatë, shtëpitë karakteristike, kishat, xhamitë, etj.

Bëhet fjalë për një sipërfaqe prej 58 hektarësh, pra një qytet i tërë që e ka zanafillën prej shek. IV para Krishtit, e që ka kaluar në disa faza zhvillimi arkitekturor, ku ndërtimet e kultit janë ngjizur me fortifikimet e arkitekturën popullore.

Qendra Historike mbështillet nga zona e mbrojtur, apo siç e quajnë specialistët “tampon”, prej 136, 2 hektarësh, që gjithashtu mbart vlera të mëdha arkitektonike e që i rrit rëndësinë zonës së propozuar.

Në dosje renditen objektet më të rëndësishme, të shoqëruara edhe me projektet dhe ndërhyrjet që janë bërë në to. Dosja u përgatit nga një grup pune me në krye specialistin Emin Riza dhe i përmbahej të gjitha kërkesave të UNESCO-s.

Në të përfshihej pjesa shkrimore dhe dokumentare e përbërë nga materiale grafike, fotografi e botime për Qytetin Muze, madje edhe me materiale shtesë.

Në të ishte shtuar një suplement ku u përfshi një material i detajuar për muzeumet e Beratit, vlerat turistike, kulturore, sportive, filma, fotografi. Janë plot 10 CD me materiale që flasin për qytetin.

Historia e Dosjes së Beratit nisi që në vitin 1990, por ngjarjet e ndodhura në Shqipëri e zhvendosën vëmendjen prej saj. Hyrja e Gjirokastrës në listën e Trashëgimisë Botërore, riktheu vëmendjen drejt qytetit të “një mbi një dritareve” me shpresën që edhe ai të bëhej pjesë e kësaj liste.

Në një kohë rekord, brenda pak muajsh specialistë të Institutit të Monumenteve të Kulturës, Drejtorisë Rajonale të Beratit, pushtetit lokal, etj, kompletuan dosjen sipas kritereve dhe kërkesave të UNESCO-s.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›