E Martë, 3 Nëntor 2026

Vrau efektivin e “Shqiponjave”, Prokuroria e Fierit kërkon burgim të përjetshëm për Azgan Mernicën

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Prokuroria e Fierit ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm të shtetasit Azgan Mërnica për veprat penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” kryer ndaj viktimës Novruz Cenaliaj.

Sipas prokurorisë së Fierit “nga hetimi dhe gjykimi u provua tej çdo dyshimi të arsyeshëm se, në datë 13.05.2024, rreth orës 13:30, në fshatin Baltëz, Njësia Administrative Dërmenas, Bashkia Fier, i pandehuri A.M. ka vrarë me armë zjarri punonjësin e Policisë së Shtetit N.C, i cili mbante veshur uniformën e Forcave Speciale “Shqiponja” që e bënte lehtësisht të shqueshme cilësinë e tij. Konflikti mes viktimës dhe të pandehurit ka lindur për shkak se ky i fundit, ndërsa drejtonte automjetin e tij, është futur në kthesë me shpejtësi, pa kontrolluar rrugën, duke përbërë rrezik për përdoruesit e rrugës”.

“Viktima i ka tërhequr vëmendjen të pandehurit për këtë veprim, shkak për të cilin i pandehuri ka ndaluar automjetin e tij, ka zbritur prej tij me çantën ku kishte armën e zjarrit dhe ndërsa shkonte drejt viktimës, i cili nuk kishte dalë nga mjeti i tij, ka nxjerrë armën e zjarrit dhe e ka mbushur atë dhe më tej situata ka përshkallëzuar ku i pandehuri A.M duke përdorur armën e zjarrit të llojit pistoletë ka shtënë drejt fytyrës së viktimës N.C duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme”, njoftoi prokuroria.

Prokuroria e Fierit njoftoi se “në përfundim të gjykimit të këtij procedimi penal, sot në datë 10.07.2025, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, në diskutimet përfundimtare kërkoi:

“Deklarimin fajtor të të pandehurit A.M. për kryerjen e veprës penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, dënimin e tij me burgim të përjetshëm. Deklarimin fajtor të të pandehurit A.M. për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” , dënimin e tij me shtatë vjet burgim.

“Deklarimin fajtor të të pandehurit A.M. për kryerjen e veprës penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, dënimin e tij me gjashtë muaj burgim. Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve, dënimin e të pandehurit A.M. me burgim të përjetshëm”.

/m.q//a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›