Dekani: Doja të kuptoja deri ku shkon një studente për provimin
KORÇË- “Kam qenë në një dhomë hoteli me studenten time, por vetëm për të kuptuar se deri ku mund të shkonte për të kaluar në provim”. Kështu është mbrojtur para gjykatës së Korçës dekani i Infermierisë, Robert Rado, i cili është liruar nga qelia dhe është lënë në “arrest shtëpie”. Mesa duket, Gjykata e Korçës nuk është bindur nga provat që i ka dërguar prokuroria për operacionin e arrestimit të dekanit, i cili akuzohet për korrupsion pasiv dhe marrëdhënie seksuale, duke shpërdoruar detyrën, ndaj edhe ka vendosur ta dërgojë atë në shtëpi. Robert Rado, në seancën e djeshme gjyqësore nuk ka pranuar asnjërën nga akuzat, ndërsa ka shtuar se gjithçka ka qenë një kurth i ngritur kundër tij, për t’i dëmtuar imazhin. Seanca e masës së sigurisë është zhvilluar me dyer të mbylluara, duke mos lejuar që gjykimi të ishte objekt publik për vetë çështjen delikate që ai trajtonte. Kërkesa për gjykimin me dyer të mbylluara ka ardhur nga organi i akuzës, por dhe mbrojtja e të pandehurit, të cilët kanë parashtruar kërkesën e tyre tëparë të pranuar nga gjykata. Mësohet se i pandehuri ka treguar se në asnjë rast nuk ka pranuar të këmbente një provim me 100 euro, por ka pranuar se ndodhej në një dhomë hoteli me studenten e tij. “Është e vërtetë që ndodhesha në një dhomë me studenten, pornuk kam kryer asgjë.Isha duke pirë cigare dhe duke parë se deri ku mund të shkonte një studente për të marrë provimin”,-ka pretenduar dekani para gjykatës.Pedagogu ka mohuar që synimi i tij ishte marrëdhënia seksuale, ndërsa ka pohuar se studentja ishte shumë e dobët në mësime dhe rrezikonte që të shkaktonte viktima, nëse merrte një provim dhe më tej gjithë shkollën, kur duhej që të përballej me pacientët në nevojë. Avokati i të pandehurit që akuzohet për marrëdhënie seksuale nëpërmjet shfrytëzimit të postit dhe shpërdorimit të detyrës ka kërkuar lirimin e tij nga salla e gjyqit. Pasi ka dëgjuar të dyja palët, gjykata e Korçës ka vendosur që dekani Robert Rado të gjykohet në arrest shtëpie.