XHAKARTA – Wadephul vlerëson marrëveshjen tregtare të BE-së me Indonezinë

XHAKARTA, 20 gusht /ATSH-DPA/- Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul vlerësoi sot marrëveshjen e tregtisë së lirë të BE-së me Indonezinë, ndërsa ndodhet në vizitën e tij të parë në Azi.
“Në një botë krizash dhe konfliktesh, kufizimesh dhe barrierash tregtare është jetike të krijohet një rrjet partneritetesh të forta globale”, tha Wadephul në një takim me homologun e tij indonezian Sugiono, në Xhakartë.
Marrëveshja Gjithëpërfshirëse e Partneritetit Ekonomik (CEPA) e BE-së me Indonezinë, e arritur në korrik, pritet të finalizohet në shtator.
“Marrëveshja mund të shërbejë si një model për tregtinë evropiane me rajone të tjera”, tha Wadephul.
“Për kompanitë gjermane dhe indoneziane, ajo ofron një mundësi të madhe për bashkëpunim, për shembull në energjitë e rinovueshme”, shtoi ai.
Demokracia e tretë më e madhe në botë dhe vendi me popullsinë më të madhe myslimane në botë, Indonezia është shfaqur si një lojtare globale gjithnjë e më e rëndësishme vitet e fundit.
Ashtu si Gjermania, kombi i Azisë Juglindore është anëtar i grupit G20 të ekonomive kryesore.
Indonezia është gjithashtu pjesë e aleancës BRICS që përfshin Brazilin, Rusinë, Indinë, Kinën dhe Afrikën e Jugut.
Partnerët më të rëndësishëm tregtarë të vendit përfshijnë Kinën, Japoninë, Indinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, si dhe tregun e Azisë Juglindore.
Sugiono, i cili si shumë indonezianë përdor një emër të vetëm – tha se Indonezia dhe Gjermania ishin partnerë strategjikë dhe se ishte i bindur se ky partneritet do të bëhej më i fortë në vitet e ardhshme.
“Vendi është i hapur për më shumë investime gjermane në fusha kyçe si energjia e rinovueshme, inteligjenca artificiale, infrastruktura dhe siguria ushqimore”, tha ministri i Jashtëm indonezian.
Duke pasur parasysh mungesën e punonjësve të kualifikuar në Gjermani, të dy ministrat theksuan potencialin për bashkëpunim në tregun e punës.
Sugiono e përshkroi vizitën e ardhshme shtetërore të presidentit indonezian Prabowo Subianto, në Gjermani – me ftesë të presidentit gjerman Frank-Walter Steinmeier – si një formë të veçantë njohjeje që pasqyron rëndësinë e partneritetit të të dy vendeve. //a.i/