Zelensky kërkon garanci të qarta sigurie për Ukrainën e pas luftës

Europë | 4 minuta më parë
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy deklaroi se qeveria e tij po kërkon garanci konkrete nga aleatët perëndimorë mbi mënyrën se si do të funksionojë mbështetja për sigurinë pas luftës, kur pushtimit në shkallë të plotë nga Rusia të t’i vije përfundimisht fundi.
Këto komente të Zelenskyy-t në një intervistë të transmetuar së fundmi erdhën pas dy ditë diskutimesh mes aleatëve në Bruksel, të cilat u fokusuan në sigurinë dhe rindërtimin pasluftës. Takimet paraprijnë bisedimet trepalëshe të planifikuara për javën e ardhshme në Abu Dhabi mes Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, që shënojnë diskutimet e para të drejtpërdrejta të paqes me këtë format.
Ndërsa diskutimet për kornizat e paqes vazhdojnë, realiteti i ashpër i luftës mbetet në qendër të vëmendjes në Ukrainë, me sulme të reja me dronë rusë dhe me rritjen e numrit të viktimave nga goditja me bombë të udhëhequr të Moskës mbi një ish-shkollë që shërbente si qendër shpërndarjeje e ndihmave humanitare.
Sulmet ruse me dronë gjatë natës shkaktuan ndërprerje masive të energjisë elektrike në disa rajone, përfshirë zonën e Kievit, ndërsa autoritetet bullgare identifikuan një dron rus në Detin e Zi.
Gjatë dy ditëve të bisedimeve në Bruksel u diskutua për rindërtimin e pasluftës, financimin për vitin 2027 dhe garancitë e sigurisë të mbështetura nga aleatët perëndimorë të qeverisë ukrainase. Në këto takime morën pjesë zyrtarë nga SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Bashkimi Evropian, si dhe përfaqësues nga Banka Botërore dhe grupi i investimeve “BlackRock”, siç bëri të ditur kryenegociatori ukrainas Rustem Umerov.
“Ne diskutuam veçmas kërcënimet nga Rusia ndaj Ukrainës dhe të gjithë Evropës, si dhe hapat e përbashkët për t’iu kundërvënë atyre,” shkroi Umerov.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.