Zelensky kërkon ndihmën e Spanjës dhe vendeve të Amerikës Latine për rindërtimin e sistemit energjetik të Ukrainës
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka kërkuar Spanjës dhe vendeve të Amerikës Latine ndihmë për rindërtimin dhe rikuperimin e sistemit energjetik të vendit, i cili është dëmtuar rëndë nga sulmet ruse.

Gjatë një takimi në kuadër të Samitit të 30-të Ibero-Amerikan, i cili përfundoi sot në kryeqytetin spanjoll, lideri ukrainas theksoi se vendi i tij ka nevojë për bashkëpunim sa më të gjerë ndërkombëtar për të rikthyer funksionimin e infrastrukturës energjetike.
“Ne kemi nevojë për sa më shumë bashkëpunim ndërkombëtar, në mënyrë që të vazhdojmë rindërtimin dhe rikuperimin e sistemit tonë energjetik, për të cilin kemi nevojë urgjente”, deklaroi Zelensky.
Ai theksoi se Ukraina ka nevojë për materiale dhe pajisje të shumta, përfshirë transformatorë, kabllo elektrike, pajisje elektronike moderne dhe lloje të ndryshme gjeneratorësh, si me naftë, ashtu edhe me gaz.
Në takim ishin të pranishëm kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, presidentët e Guatemalës dhe Hondurasit, Bernardo Arevalo dhe Nasry Asfura, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.
Zelensky u shpreh se kompanitë në Spanjë dhe Amerikën Latine mund të japin një kontribut të rëndësishëm në këtë proces. Ai përmendi konkretisht transformatorët që mund të sigurohen nga Brazili, Meksika, Argjentina dhe Kolumbia, kabllot elektrike nga Kili, si dhe pajisjet elektronike, kabllot dhe gjeneratorët e prodhuar në Spanjë.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme. Ne kemi nevojë për pajisje që të jenë të përshtatshme me rrjetin tonë elektrik dhe na duhen sa më shpejt. Prandaj, ju kërkojmë mbështetje të menjëhershme, duke lehtësuar kontaktet me kompanitë dhe kapacitetet tuaja prodhuese, në mënyrë që këto furnizime të mbërrijnë në Ukrainë sa më parë”, apeloi presidenti ukrainas.
Vizita e Zelenskyt në Spanjë, pas qëndrimit të tij në Berlin të martën, zhvillohet në një moment të përpjekjeve të reja diplomatike për të ringjallur shpresat për paqe, si dhe në sfondin e afrimit të fundit mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin.
Këto zhvillime kanë shtuar shqetësimet në Kiev për mundësinë e tërheqjes së mbështetjes amerikane, në një kohë kur Ukraina po përgatitet për një dimër të vështirë, për shkak të bombardimeve të vazhdueshme ruse ndaj infrastrukturës së saj.
Më shumë se katër vjet e gjysmë pas nisjes së pushtimit rus, negociatat mes Kievit, Moskës dhe Uashingtonit pritet të rifillojnë më 10 dhe 11 nëntor në Emiratet e Bashkuara Arabe, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara.
Në një intervistë për transmetuesin publik gjerman ZDF, presidenti ukrainas deklaroi se fitorja e demokratëve në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA ka ushqyer shpresat për një mbështetje më të madhe të Uashingtonit ndaj Kievit.