E Premte, 6 Nëntor 2026

Vrau nënën me thikë në banesën e tyre në Itali, zbardhet dëshmia e 21-vjeçarit shqiptar nga spitali: Tentova t’i jepja fund jetës

Është zhvilluar në ambientet e spitalit, në repartin e psikiatrisë, seanca për vleftësimin e ndalimit të Eduart Xhanit, 21-vjeçarit me origjinë shqiptare, i akuzuar për vrasjen e nënës së tij, Meleqe Lusha, 39 vjeçe, në banesën e tyre në Chiari, në provincën e Breshias.

Eduart Xhani

I riu ndodhet i shtruar në spital, pasi iu nënshtrua vizitave nga specialistët në orët pas krimit. Ai u mor në pyetje nga gjyqtari i hetimeve paraprake në Gjykatën e Breshias, Mauro Ernesto Macca.

Përpara gjyqtarit, Xhani dyshohet se konfirmoi në thelb se kishte vrarë nënën e tij, ashtu siç kishte deklaruar edhe më herët për karabinierët, të martën në mbrëmje.

Megjithatë, ai shtoi se kishte tentuar t’i jepte fund jetës edhe para se të kryente krimin, por nuk kishte arritur.

Sipas mediave italiane, përgjigjet që 21-vjeçari ka dhënë lidhur me arsyet që e çuan të vriste nënën e tij dyshohet se kanë qenë të paqarta dhe të çorientuara. Kjo bëri të nevojshëm transferimin e tij në spital, pasi fillimisht ishte dërguar në burgun Canton Mombello. Gjyqtari ka rezervuar vendimin lidhur me vleftësimin e ndalimit të tij.

Xhani, i cili më parë kishte punuar si punëtor krahu dhe së fundmi ishte punësuar si kamarier në një restorant të rrjetit Burger King në Rovato, ishte fëmija i vetëm i familjes.

Eduart Xhani (2)

Sipas rindërtimit të ngjarjes, rreth orës 21:00, ndërsa ndodhej në kuzhinë me të ëmën, ai ka marrë një thikë dhe e ka goditur disa herë në fytyrë dhe në gjoks, duke i shkaktuar vdekjen.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur në një mbrëmje të zakonshme, pa pasur më parë debate apo tensione të dukshme mes tyre. Deri më tani, nuk është identifikuar një motiv i qartë për krimin.

Pas krimit, 21-vjeçari, i cili nuk kishte precedentë penalë dhe nuk kishte pasur më parë probleme me drejtësinë, u largua nga banesa. Ai përshkroi për gati 10 orë me makinë zona të provincave të Breshias dhe Kremonës, ndërsa kishte ende të veshura rrobat e ndotura me gjakun e nënës së tij.

Sipas mediave italiane, personat që e njihnin e përshkruanin të riun si një njeri të mbyllur dhe të heshtur. Të nesërmen, rreth orës 07:00, ai ndaloi makinën e tij tip “Audi” përpara karabinierëve në Kremona. Automjeti drejtohej prej tij pavarësisht se kishte patentën e pezulluar.

Kur një prej efektivëve doli për ta pritur, 21-vjeçari pranoi krimin me fjalët: “Kam vrarë mamin tim. Në shtëpinë tonë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›