VIDEO/ Klodian Lekocaj drejtonte organizatën kriminale nga burgu, pamjet e sulmeve me granata në lokalet e Athinës
Pamje filmike që dokumentojnë aktivitetin e anëtarëve të një organizate kriminale, të akuzuar për zhvatje, kërcënime dhe shpërthime me granata, janë publikuar nga media greke “Protothema”.
Sipas hetimeve të autoriteteve greke, në krye të organizatës dyshohet se qëndron i burgosuri i njohur shqiptar, Klodian Lekocaj, alias Klod Cara, i cili vuan dënimin në burgun e Trikalasë. Ai dyshohet se drejtonte aktivitetin kriminal edhe nga qelia, duke koordinuar sulmet dhe duke dhënë udhëzime për anëtarët e tjerë të grupit.
Bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë dyshohet se ishin një person me origjinë rome, i burgosur në Malandrino, dy shtetas egjiptianë që ndodheshin në burgjet e Avlonës dhe Malandrinos, si dhe pesë persona të tjerë, të cilët u arrestuan gjatë operacionit të policisë.
Pamjet e publikuara tregojnë sulmet me granata që të dyshuarit kanë kryer ndaj dy lokaleve në qendër të Athinës, në fillim të muajit shtator.

Në një tjetër video dokumentohet një sulm i ndodhur në fillim të tetorit, ndaj njërit prej dy lokaleve të mësipërme. Autorët shihen teksa kalojnë pranë biznesit, hedhin një granatë brenda ambienteve ku ndodheshin klientë dhe më pas largohen.
Fatmirësisht, granata nuk shpërtheu, duke shmangur pasoja të mundshme të rënda për personat që ndodheshin brenda lokalit.

Nga hetimet ka rezultuar se të dyshuarit ishin pjesë e një organizate kriminale me aktivitet të vazhdueshëm, strukturë të qëndrueshme të brendshme, organizim hierarkik dhe ndarje të qartë të detyrave. Rolin drejtues në këtë organizatë dyshohet se e kishte 49-vjeçari shqiptar, Klodian Lekocaj.
Pavarësisht se ndodhej në burg, Lekocaj dyshohet se vijonte të kishte kontrollin operacional të grupit. Ai përcaktonte objektivat e sulmeve, vlerësonte informacionet e mbledhura gjatë fazës përgatitore, jepte udhëzime për anëtarët e tjerë dhe mbikëqyrte zbatimin e veprimeve kriminale.
Ndërkohë, anëtarët e tjerë kishin detyra të ndryshme, në varësi të rastit. Ata merreshin me mbledhjen e informacioneve për objektivat e përzgjedhur, vëzhgimin e banesave dhe ambienteve me interes, identifikimin e personave dhe automjeteve, si dhe fotografimin dhe hartëzimin e zonave ku do të kryheshin sulmet.
Gjithashtu, ata siguronin mjetet e nevojshme për realizimin e veprimeve kriminale, kryenin sulmet dhe organizonin largimin nga vendngjarja.

Në këtë mënyrë, organizata arrinte të garantonte vijimësinë e aktivitetit kriminal dhe koordinimin e veprimeve, edhe kur anëtarët kryesorë të saj ndodheshin pas hekurave.
Sa u përket bashkëpunëtorëve të Lekocajt, të cilët gjithashtu ndodheshin në burg, ata shërbenin si hallka ndërmjetëse komunikimi mes drejtuesit dhe anëtarëve që vepronin jashtë ambienteve të vuajtjes së dënimit. Roli i tyre ishte përcjellja e urdhrave, koordinimi i veprimeve të ndryshme dhe ruajtja e funksionimit të organizatës.
Ndërkohë, në kuadër të hetimeve, Departamenti për Luftën kundër Zhvatjes, në bashkëpunim me Grupet e Parandalimit dhe Ndërmjetësimit dhe grupet operacionale të Drejtorisë së Menaxhimit dhe Analizës së Informacionit Kriminal, zhvilloi kontrolle në katër lokale në qendër të Athinës. Gjatë kontrolleve u verifikuan 50 persona, nga të cilët 27 u shoqëruan në polici.