Presidenti izraelit i befasuar nga ndërprerja e ndihmës prej 4 miliardë dollarësh nga SHBA: Si një rrufe në qiell të hapur, duhet të zgjaste deri në vitin 2028
Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, e ka cilësuar si një “rrufe në qiell të hapur” njoftimin e presidentit amerikan Donald Trump për përfundimin e ndihmës ushtarake të SHBA-së për Izraelin, deklaratë e bërë ditën e zgjedhjeve të mesmandatit në Amerikë.

Herzog e ngriti këtë çështje gjatë një takimi me partinë Yashar, të drejtuar nga Gadi Eisenkot, kundërshtari kryesor i kryeministrit Benjamin Netanyahu.
“Çështja e ndihmës amerikane më shqetëson shumë dhe erdhi si një rrufe në qiell të hapur. Ne kemi një memorandum mirëkuptimi me SHBA-në, i cili supozohet të zgjasë deri në vitin 2028. Ky është një nga objektivat kryesorë dhe, për këtë arsye, duhet të formohet një qeveri dhe të mos shkojmë drejt zgjedhjeve të përsëritura”, u shpreh Herzog, sipas CNN.
Trump njoftoi ditën e zgjedhjeve të mesmandatit se ndihma për Izraelin, në vlerën e 3.8 miliardë dollarëve në vit për blerjen e armëve amerikane, do të përfundojë këtë vit, dy vite përpara skadimit zyrtar të memorandumit të mirëkuptimit (MoU).
Deklarata u bë gjatë një interviste telefonike me Fox News, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nuk ka reaguar ende publikisht lidhur me këtë çështje.
Ndërkohë, ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, ka kërkuar sqarime për deklaratën e Trump, gjatë një interviste për televizionin izraelit Channel 12 News.
Ai njëkohësisht mbrojti ndihmën ushtarake amerikane, e cila është bërë gjithnjë e më pak popullore si në Partinë Demokratike, ashtu edhe në atë Republikane.
“Amerikanët duhet ta kuptojnë vlerën e kësaj marrëdhënieje. Nuk ka rëndësi se sa investojnë amerikanët në të, por çfarë përfitojnë prej saj. Ndoshta nuk kemi bërë një punë të mirë për ta ndihmuar publikun amerikan të kuptojë dhe të vlerësojë bashkëpunimin me Izraelin, i cili ka sjellë përfitime në jetën e tyre çdo ditë”, deklaroi Huckabee.
Ambasadori amerikan kundërshtoi gjithashtu zëvendëspresidentin JD Vance, i cili deklaroi se marrëdhënia me Izraelin kishte ndikuar në humbjet e republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit.
Huckabee, një mbështetës i fortë i Izraelit, u shpreh se nuk mendon që mbështetja për këtë vend është bërë “toksike” në krahun konservator dhe brenda Partisë Republikane.