"Duheshin 3 megaton eksploziv për të rrëzuar një ministër"
Një gazetar me të drejtë, tha se duheshin 3 megaton eksploziv për të rrëzuar një ministër. gjithsesi më e çuditshmja është se duheshin po kaq eksploziv që Kryeministri të hidhte baltë mbi mediat, t'ia kalonte përgjegjësinë një firme private dhe së fundi, të jetë akoma në atë detyrë. "Çudia më e madhe zgjat 3 ditë", dhe duket se nga kjo thënie po përfitohet shumë, sepse përgjegjësia deri tani është vetëm në rang ministri dhe natyrshëm lind pyetja: Po të kishte ndodhur kjo ngjarje në një vend perëndimor a do kishte dhënë dorëheqjen gjithë qeveria?
Ndoshta ditët e para të tragjedisë kjo nuk të shkonte ndërmend apo mund të ishte një deklaratë emocionale, ndërsa tani kur gjërat kanë filluar të dalin sheshit, dorëheqja e Kryeministrit shqiptar është mëse normale. Tashmë Kryeministri pret një proces penal që ngjarja të zbardhet, por duhen thënë se përgjegjësia penale është ndryshe nga ajo politike. Për një përgjegjësi penale ndoshta duhen vite për të dalë e vërteta, ndërsa përgjegjësia morale lind qysh në çastin kur shteti del se është fajtor.
Ky faj ishte shumë i madh dhe përgjegjësia e një ministri është shumë pak. Akti moral i dorëheqjes këtu nuk njihet, por më shumë se një moral a akt civil, së pari, është përgjegjësi politike (për penalen flasim më vonë) sepse të është shkëputur një hallkë dhe gjithë zinxhiri s'ka më kuptim, prandaj duhet të kuptojmë se çdo lloj dorëheqje që mund të jepet s'ka të bëjë fare me moralin, por, së pari, me përgjegjësinë qoftë të drejtpërdrejtë apo indirekte.