"Si është pleksur, si është bërë, nuk do brisk, por do gërshërë"
Ngjarja makabre e Gërdecit është absolutisht një konglomerat implikimesh, pleksjesh, ngatërresash dhe pazarllëqesh midis institucionesh, firmash shtetërore e privatësh vendase dhe të huaja, zyrtaresh dhe personalitetesh shtetërore. Të gjithë në garë e në sulme e me një grykësi e pangopësi të paparë, pa eline e pa iman, kush e kush të zhvasë, e të shqyejë e gllabërojë pjesën e luanit. Tani na del që në këtë punë të shëmtuar mafioze e me oferta të mëdha korruptive të përflitet e të lakohet edhe emri i djalit të Kryeministrit, Shkëlzen Berishës, ndërsa baxhanaku i kryeministrit i ndjeri Muhamet Hoxha kishte një rol dhe post jo pak të rëndësishëm në fabrikën e Gërdecit.
Ndërkohe mësojmë që ka patur mosakordancë midis ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe autoriteteve të Shtatmadhorisë, deri në mënjanimin, shpërfillje dhe rrëmbim të kompetencave të Shtabit të Përgjithshëm, komandave dhe specialistëve ushtarakë e të mirëfilltë, profesionalistë e kompetentë. Shkurt, një lëmsh i ngatërruar dhe një çorganizim i organizuar thjesht dhe vetëm për qëllime fitimi e mundësisht në më pak duar. Po kështu nga mediat dhe opinionet e ndryshme mësojmë se organet e Financës nuk i paskan regjistruar dhe tatuar fare, firmat fantazme të çmontimit të municioneve në rajonin e Gërdecit.
Dhe sikur të mos mjaftonin gjithë këto shkelje dhe anomali, si për ironi të fatit, çuditërisht, në krye të hetimit nuk vihet Prokuroria e Krimeve të Rënda por Prokurori i secilës ka qenë hetues i firmës "MEIKO" gjë që e vë në dyshim vërtetësinë objektive të hetimit të çështjes.