Kuzhe: “Jeta është si puna e futbollit”“Gjithkush mund të ketë histori të mira apo të këqija. Kjo është pjesë e jetës, ashtu si në futboll ka rezultate pozitive apo negative. Kam shumë histori të bukura në jetën time”

INTERVISTA EKSKLUZIVE (Pjesa e katërt dhe e fundit) – “Gjithkush mund të ketë histori të mira apo të këqija. Kjo është pjesë e jetës, ashtu si në futboll ka rezultate pozitive apo negative. Kam shumë histori të bukura në jetën time”, - tha trajneri Josip Kuzhe, në lidhje me lajmet që ekzistojnë në median kroate për jetën e tij e sidomos për pasionin për të luajtur kumar. “Gjithsesi është një histori që i përket gjashtë viteve më parë. Jam i vetëdijshëm për ato gabime që kam bërë në jetë”, - tha për Albania-sport.com, trajneri karizmatik.
Ju mbërritët në Shqipëri, kur shtypi shqiptar ishte i furnizuar nga media kroate me historitë personale të jetës suaj, rreth kumarit. Cili është komenti juaj?
Në fakt, e dija këtë. Disa miq më kishin informuar për atë ishte shkruar në Shqipëri. Gjithkush mund të ketë histori të mira apo të këqija. Kjo është pjesë e jetës, ashtu si në futboll ka rezultate pozitive apo negative. Kam shumë histori të bukura në jetën time. Kam një familje të bukur. Edukimi im është gjithashtu i mirë, pasi përfundova fakultetin e Drejtësisë. Kam një komunikim të shkëlqyer me shumë njerëz. Por, për gazetat ishte interesante vetëm një histori. Isha unë që kam folur për mediat kroate për veten time. Gjithsesi është një histori që i përket gjashtë viteve më parë. Jam i vetëdijshëm për ato gabime që kam bërë në jetë, e di se çfarë ka qenë e gabuar, si për shembulli me bastet e kumarit. Por, njoh njerëz që marrin drogë, janë alkoolistë të mbaruar. Unë mund të them se kam humbur para, por ka disa që kanë humbur familje. Atëherë kush është humbësi më i madh. Jam shumë profesionist në punë, mund të kem bërë hapa të gabuar në jetën private, por kurrë në atë profesionale.
Sa të rëndësishme ishin paratë në vendimin tuaj për të pranuar stolin e Shqipërisë?
Dua të jem i hapur. Nuk kanë qenë ato faktori vendimtar, pasi jam një tip që preferoj më shumë pozicionin e punës që kryej. Natyrshëm, që dhe ata kanë pasur një rol, pasi bëhet fjalë që duhet të konvertohet në para, por jo me karakter thelbësor. Kur isha në kontakt me Federatën Shqiptare të Futbollit, isha dhe në kontakte me një klub tjetër, për më shumë para. Por, vendi i trajnerit të Kombëtares është një tjetër piacë.
Duke qenë se një nga kushtet e kontratës kishte të bënte me një qëndrim të gjatë tuajin në Shqipëri, sa vendosi gruaja juaj në pranimin e punës si trajner, a pati ajo ndonjë rol kyç?
Gruaja ime ka luajtur një rol të dorës së parë në pranimin tim për të marrë drejtimin e Shqipërisë. Ajo më mbështet gjithmonë. Ajo e di mirë, se cila është mirë për mua dhe cila jo.
A ka ajo ndonjë informacion për Shqipërinë apo Tiranën?
Shikoni, gratë mbeten gjithmonë të njëjta, kudo në botë. Ndërkohë që unë kisha pranuar parimisht punën, ajo mblidhte informacione në internet për Shqipërinë. Tani ajo përkthen lajme me ndihmën e internetit, ku flitet për mua apo për futbollin shqiptar, dhe m’i thotë vazhdimisht ne telefon apo m’i dërgon me e-mail. Tani vetëm Shqipëria është në mendjen e saj. Ka dëshirë të jetoj këtu dhe më thotë do të vizitojmë muze, restorante, do të udhëtojmë në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Ajo është një grua e mrekullueshme dhe një koleksionuese e madhe, fotosh apo objekte tipike lokale.
Gjatë karrierës suaj si trajner keni bredhur botën. Cilat janë përshtypjet tuaja?
Ruanda mbetet një vend i veçantë, për nga ato që pashë. Mbetet një eksperiencë speciale për mua. Punonin për 1 dollarë në ditë të zhytur në ujë. Kjo më krijonte një emocion e mendimeve të veçantë. I tillë jam si njeri. Ruanda kishte një natyrë të bukur, ndërsa Japonia ishte e tëra beton. Thashë një ditë me vete, ma kanë bërë zemrën si asfalt. Kam qenë në Japoni, Australi, Afrikë, mund të shkoja në Florida tri muaj më parë, tani jam në Shqipëri dhe më të vërtetë ndihem si në shtëpinë time.
Djali i një muzikanti
“Familja ime kishte në traditë diçka krejt të largët me futbollin. Im atë, Sllavko, ishte një mjeshtër muzike, ai nuk e pëlqente futbollin e nuk dëshironte që unë të bëhesha futbollist.
Nga ana tjetër, unë i ndiqja ndeshjet dhe isha me të vërtetë i mahnitur pas futbollit”.
Studimet për jurist
“Jurisprudenca ishte dashuria ime. Pas diplomimit mund të isha një jurist shumë i mirë, por mendoja se futbolli ishte e gjithë jeta ime. Kur përfundova karrierën time si futbollist vendosa të mos punoja si avokat, por t’i përkushtohesha karrierës së trajnerit”
10 mijë euro në muaj
Trajneri i ri i Shqipërisë, Josip Kuzhe, do të fitojë 10 mijë euro në muaj (plus pagesat për bileta udhëtimi, akomodimi,etj). Kuzhe, i cili fitoi garën me Ilija Lonçarevicin e Peter Pakult, ka drejtuar gjatë karrierës së tij 12 skuadra.
Intervistoi: Dash Frasheri
Durres, 9-11 qershor 2009
E Shtune, 13 Qershor 2009