E Diel, 1 Nëntor 2026

-Ndalesën e parë, z.Nano e bëri në gjirin e Manastirit, ku takon efektivat e repartit RENEA, të dislokuar në këtë gji në kuadrin e Lojrave Olimpike - Kryeministri Fatos Nano ka zhvilluar

-Ndalesën e parë, z.Nano e bëri në gjirin e Manastirit, ku takon efektivat e repartit RENEA, të dislokuar në këtë gji në kuadrin e Lojrave Olimpike -

Kryeministri Fatos Nano ka zhvilluar sot një vizitë pune në qytetin e Sarandës. Në këtë vizitë, z. Nano është shoqëruar nga Ministri i Rendit Publik, Igli Toska, Ministri i Mbrojtjes, Pandeli Majko, Ministri i Pushtetit Vendor dhe Deçentralizimit, Ben Blushi, autoritete të larta të Policisë së Shtetit dhe të Pushtetit Lokal.

Fillimisht, Kryeministri Nano është ndalur në gjirin e Manastirit, ku është takuar me efektivat e repartit RENEA, të cilët janë vendosur në këtë gji në kuadrin e zhvillimit të Lojrave Olimpike. Pak ditë më parë, këto forca kryen me sukses operacionin e shpëtimit të pasagjerëve të tragetit Antonia, i cili rrezikoi të mbytej pranë gjirit ë Manastirit. Z.Nano ka ndjekur një demostrim të zhytësve të këtij reparti në operacionet e shpëtimit të jetës në det.

Duke folur para efektivave të RENEA-s, Kryeministri Nano u shpreh:

"Kam ardhur sot t'ju përgëzoj për punën vetemohuese dhe efikase, veçanërisht anëtarëve të RENEA-s një nga pararojat e veprimeve ligjore të shtetit aktual për të mbrojtur zhvillimin, rendin publik, sigurinë e jetës dhe shqetësimin e qytetarëve.

Veprimi juaj i rradhës në shërbimin e sigurisë së jetës së njerëzve dhe rrezikun e mbytjes së tragetit Antonia para disa ditësh dëshmoi edhe një herë se ju i shërbeni vendit dhe shtetasve të tij, prandaj unë duhet t'ju siguroj gjithë mbështetjen e qeverisë për vazhdimin e forcimit të logjistikës dhe të mbështetjes financiare për stërvitjen dhe konsolidimin e strukturave të specializuara, në të cilat ju veproni dhe t'ju sjell mirëkuptimin e të gjithë institucioneve dhe të partnerëve me të cilët punon qeveria.

Më vjen mirë që kjo strukturë është tani në Manastir në kuadrin e bashkëpunimit efikas të Policisë së Shtetit Shqiptar, të Shërbimit Informativ të Shtetit Shqiptar, të strukturave të tjera të luftës kundër krimit, trafiqeve, terrorrizmit dhe të mbrojtjes së rendit publik me shërbimet homologe të vendeve fqinje, të vendeve të NATO-s, në kuadrin e Lojrave Olimpike, një ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme edhe për vendin dhe rajonin tonë.

Është për t'u krenuar vlerësimi i vazhdueshëm pozitiv i drejtuesve të strukturave të sigurisë për Lojrat Olimpike, i qendrave ndërkombëtare të koordinimit në të cilat ne bëjmë pjesë, për shërbimin cilësor, për sigurinë e lartë të kufijve tanë, në bashkëpunimin e frytshëm që u kemi ofruar jo vetëm strukturave të shtetit fqinj, Greqisë, por edhe të gjithë mekanizmave dhe organizmave që garantojnë sigurinë e Lojrave Olimpike.

Kjo është një provë tjetër se Shqipëria është e përgatitur dhe ka jo vetëm një kuadër ligjor dhe institucione dhe resurse profesionale, siç jeni ju, për të kontribuar në sigurinë rajonale dhe globale. Kjo mund të ndodhë vetëm në një vend normal, në një vend ku biznesi dhe ekonomia zhvillohet, por edhe shteti vepron, autoriteti i ligjit ekziston dhe respektohet, ku punonjësit e policisë së shtetit i shërbejnë forcimit të stabilitetit të jetës, të rendit publik, të qetësisë së lëvizjes së lirë të njerëzve garantimit të realizimit të jetës dhe të inisiativave të tyre sipërmarrëse apo që lidhen me veprimtari shoqërore të dobishme. Ju po e bëni këtë gjë duke na dhënë edhe më shumë siguri dhe rezultate në luftën kundër keqbërësve, në luftën kundër kriminalitetit, terrorrizmit, trafiqeve. Ju po e bëni këtë duke bashkëpunuar gjithnjë e më me sukses me struktura homologe të vendeve fqinje, të vendeve të Europës Perëndimore dhe të vendeve të NATO-s, me të cilat Shqipëria bashkëpunon për t'u bërë ndërvepruese në procesin e integrimit të plotë dhe të kapjes së standarteve të sigurisë së tyre.

Unë dua të përgëzoj Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ministrin e Rendit Publik për sukseset e fundit të arritura në luftën kundër kriminalitetit dhe trafiqeve.

Të nderuar punonjës të Policisë së Shtetit dhe reparteve pararojë të luftës kundër terrorrizmit, krimit të organizuar dhe trafiqeve.

Ju i shërbeni vendit dhe jo politikës, prandaj mos u tutni nga politikanë që marrin në mbrojtje krimin. Mos e prishni qetësinë tuaj, sepse qetësia juaj është e shtrenjtë për qetësinë e njërëzve të shoqërisë dhe të atdheut tonë të dashur. Unë jam këtu për të kuptuar më mirë nevojat tuaja logjistike për infrastrukturë, për programe trajnimi dhe financime.

Me këtë rast, ju i meritoni edhe shpërblimet individuale që lidhen me performancën e lartë në kryerjen e detyrave për sigurimin e jetës së qytetarëve dhe të shoqërisë në tërësi.

Përgëzime dhe punë të mbarë!"

Në prani të Kryeministrit, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit i është dorëzuar letra e falenderimit e Bashkisë së Sarandës për shpëtimin e jetës së pasagjerëve të tragetit Antonia në gjirin e Manastirit.

Më pas, Kryeministri Nano ka inspektuar punimet në kalatën dhe të ambienteve të reja të shërbimit në portin e Sarandës. Z. Nano ka zhvilluar një takim me autoritet e këtij porti dhe të pushtetit vendor, ku u diskutua rreth ecurisë së projekteve të zhvillimit dhe investimeve të reja në infrastrukturë dhe sektorin e shërbimeve për portin dhe qytetin e Sarandës.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›