'> Topalli lobon për Kosovën
Fjalën e saj ne konferencën e trete botërore te kryetareve te 261 Parlamenteve, kryetarja e Kuvendit te Shqipërisë Jozefina Topalli e përqendroi tek apeli për njohjen e pavarësisë se Kosovës si një realitet te pakthyeshëm. Zonja Topalli e ka cilësuar Ballkanin si rajonin e vuajtjeve te mëdha për shkak te konflikteve, por duke përcjellë mesazhin tjetër se kombi shqiptar, megjithëse i ndare ne katër shtete, është i vetëdijshëm se e ardhmja është Bashkimi Evropian. "Sot, Vendi im, Shqipëria, pas rrëzimit të komunizmit 20 vite më parë është transformuar në mënyrë rrënjësore. Ndërsa Kosova, 2 vjet pas shpalljes së Pavarësisë po bën progres te shpejte në një rajon stabël e në paqe. Shfrytëzoj rastin për të ftuar të gjithë ato vende, që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta njohin shtetin më të ri të botës. Ai është një realitet i pakthyeshëm. Shqiptarët në Ballkan janë të vendosur të kontribuojnë në paqen e stabilitetin e Rajonit. Më shumë se askush tjetër, ne, shqiptarët të ndarë në katër shtete, jemi te vetëdijshëm se Evropa dhe integrimi janë progresi dhe e ardhmja jonë," është shprehur Topalli. Kjo konferencë globale që po zhvillohet në Pallatin e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë të Zvicrës është një ngjarje e fokusuar në rolin thelbësor të institucioneve legjislative në politikën botërore dhe marrëdhënien e tyre me Organizatën e Kombeve të Bashkuara.