E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetem tre trajnere kampione ne Superlige, te tjeret te papune

Nga Franc Hoxha

Me vetëlargimin e Neptun Bajkos nga drejtimi i skuadrës së Partizanit, është reduktuar në mënyrë drastike numri i trajnerëve që të paktën kanë fituar një titull kampion në Kategorinë Superiore dhe drejtojnë në Superligë. Tashmë teknikët e kurorëzuar me trofeun më prestigjioz në futbollin shqiptar janë vetëm katër: Faruk Sejdini, Sulejman Starova, Mirel Josa dhe shkodrani Hysen Dedja, që drejton një skuadër të Kategorisë së Parë, Erzenin që është rikthyer si pretendent për t'u bërë pjesë në gjirin e 12 skuadrat më të mira të Shqipërisë. Ndërkohë, disa trajnerë kampionë janë të papunë ose nuk kanë pranuar të drejtojnë skuadra për arsye të objektivave të vendosura nga drejtuesit(apo refuzimit të kushteve financiare të ofruara) ose nga ana tjetër janë lënë në haresë. TË PUNËSUARIT Në 12 skuadrat aktuale të elitës futbollistike (Kategoria Superiore), trajneri me më shumë tituj kampionë është Sulejman Starova, me dy të tillë, që i ka fituar me dy skuadra të ndryshme: Partizanin në sezonin 1992-1993 (titulli i fundit kampion për këtë ekip) dhe Tiranën në sezonin 2004-2005 (titulli i fundit kampion edhe për këtë ekip). Aktualisht, Starova drejton skuadrën e Teutës, ekipit që e ka fituar vetëm njëherë titullin kampion në sezonin 1993-1994 , me trajner Haxhi Ballgjnin. Starova është shprehur se një nga objektivat e presidentit Edmond Hasanbelliu është edhe fitimi i titullit të dytë kampion për durrsakët, që në rast se do të bëhej realitet (Teuta ndodhet për momentin në vendin e tretë, 3 pikë larg kryesueses Tirana) do ta fuste, teknikun Sulejman Starova në librin e artë, si të vetmin trajner që fiton kampionatin me tri ekipe të ndryshme. Një tjetër trajner kampion është edhe Faruk Sejdini, i shkarkuar nga presidenti i Dinamos, Besnik Sulaj, pas rezultateve të dobëta me skudrën "blu", por i punësuar menjëherë të "bardhekaltërit" e Shkumbinit, pas shkarkimi të Vasil Bicit (6 humbje rresht). Sejdini, ktër herë kampion si futbollist dhe një herë kampion si trajner me Dinamon në sezonin 2001-2002, është trajneri i vetëm që nuk mbetet pa punë. Stacionet e "Xhaxhit" janë të njohura, punësohet te Dinamo, shkarkohet dhe punësohet te Shkumbini dhe kthim. Mirel Josa, kampion me Tiranën në sezonin 2003-2004 (pasoi në detyrë trajnerin kampion Fatmir Frashëri, tashmë në pension, por ia la vendin Sulejman Starovës) synon titullin e dytë të tij në sezonin 2006-2007. Por, gjithsesi është ende larg rekordit të vendosur nga Selman Stërmasi me 6 tituj, Myslim Alla (5). Tirana e Josës, humbi ndeshjen e radhës me Flamurtarin (3-2) dhe një nga alternativat që doli në tregun mediatik kishte të bënte me shkarkimin e tij nga donatorët. TE PAPUNËT Kur shikon listën e trajnerëve kampionë, fituesë të 67 kampionateve të deritanishme nga i pari i fituar nga Tirana e Selman Stërmasit në sezonin 1930 dhe deri te i fundit i fituar nga Elbasani i Ilir Dajës në sezonin 2005-2006, "koleksion" një sërë emrash të mëdhenj, sportistë të medhenj dhe trajnerët të sukseseshëm, kampionë si lojtar dhe si trajnerë: Selman Stërmasi, Loro Borici, Rexhep Spahiu, Myslim Alla, Zihni Gjinali, Fatmir Frashëri, Neptun Bajko, Sulejman Mema, Shkëlqim Muca, e deri te ata që drejtojnë sot, Mirel Josa, Sulejman Starova. Por, midis tyre ka dhe kampionë të papunë. Më "i riu" i të papunëvë është ish-trajneri i Partizanit, Neptun Bajko, një ish-futbollist i Partizanit të Loro Boricit, por njëherësh edhe trajneri që i ka dhënë të kuqve titullin e 14-të (sezoni 1986-1987) nga 15 të kampionatet e fituara në rreth 60 kampionate në të cilin marrin pjesë. Një tjetër i papunë, është edhe fituesi i fundit i një kampionati, Ilir Daja, që përbën edhe rekord shqitar: një kampionat si trajner në Kategorinë Superiore-një titull kampion me Elbasanin. Daja, pjesë e formacionit kampion të Dinamos në sezonin 1989-1990, të drejtuar nga Bejkush Birce (prej kohësh i papunë si trajner), pasi nuk arriti marrëveshjen e radhës me presidentin e Elbasanit, Arben Laze, refuzoi edhe ofertën shumë të ulët financiare të presidentit të Dinamos, Besnik Sulaj. Edhe Astrit Hafizi, ish-trajner kampion me Vllazninë në sezonin 1991-1992, prej kohësh nuk drejton ndonjë skuadër të elitës. Dy të fundit për ish-trajnerin e Kombëtares kanë qenë Dinamo dhe Vllaznia, prej të cilavë është dorëhequr apo shkarkuar pa përfunduar sezonin. TË REHATUARIT Në fakt, jo të gjithë trajnerët që kanë fituar kampionate janë të papunë. Në vend të detyrës së teknikut ata kryejnë me devotshmëri detyra zyrtarësh. Sulejman Mema dhe Shkëlqim Muca (nga 2 herë kampionë me Tiranën) janë rehatuar nëpër zyra luksoze. Mema është shefi i gjyqtarëve në Federatën Shqiptarë të Futbollit, ndërsa Muca është sekretari i Klubit të Futbollit Tirana.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›