E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legjenda Mishel Platini, nesër në Tiranë

Mishel Platini, kandidati për president i UEFA s, do të jetë nesër (nga ora 14:00) në Shqipëri, në kuadër të një turi që kandidati për president të UEFA-s, ka organizuar për të fituar përkrhahjen e 52 federatave, ku vota e një vendi të vogël sa Shqipëria, është po aq e "rëndë" sa dhe ajo e Rusisë apo Gjermanisë. Francezi i famshëm do të marrë pjesë në inaugurimin e fushës së futbollit të shkollës "Hasan Vogli" në Tiranë, dhe do të zhvillojë bisedime me presidentin e FSHF-së, Armand Duka, që konsiderohet një nga miqtë më të mirë të ish-kapitenit dhe trajnerit të përfaqësuese franceze. Programi i detajuar i vizitës së francezit parashikon dhe një takim me krerët e Komitetit Olimpik, ndërkohë që Platini do t'i thotë "au revoir" Shqipërisë ditën e enjte më 8 nëntor. Pak ditë më parë, revista "France Football", ka botuar rezultatet e një sondazhi, lidhur me zgjedhjet për presidentin e UEFA-s. Për këtë post konkurrojnë presidenti aktual, Lenart Johanson, dhe francezi i famshëm Mishel Platini. Midis përkrahësve të Platinisë është edhe Federata Shqiptare e Futbollit. Zgjedhjet për presidentin e UEFA-s do të zhvillohen në janar të vitit të ardhshëm, ku 52 presidentët e federatave anëtare do të zgjedhin midis suedezit 77-vjecar (moshë që e mbushi në datën 4 nëntor) dhe francezit 51-vjecar, kampion i Botës dhe kreu i Komitetit Organizator të Botërorit Francë 1998. Media suedeze i ka shpallur "luftë" kandidaturës së Mishel Platinisë, që vlerësohet për elokuencën, humorin dhe për më tepër përkrahës i federatëve të vogla.

Kush është Platini

Mishel Platini ka marrë pjesë në Kupën e Botës së vitit 1978, 1982 dhe 1986 duke qenë gjysmëfinalist në dy të fundit. Platini është i njohur për goditjet e tij të lira, cilësi që e tregoi me Francën dhe Juventusin ku luajti për 5 sezone. Platini ka fituar tri herë "Topin e Artë" në vitin 1983, 1984 dhe 1985. Me kombëtaren franceze Platini ka zhvilluar 72 ndeshje duke shënuar 41 gola. Platini ka qenë trajneri i Kombëtares së Francës. Aktualisht ai është kryetari i Komitetit Teknik dhe Zhvillimit të FIFA dhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Platini është zëvendëspresident i Federatës Franceze të Futbollit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›