E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedia e Himarës, “Besit i ra të fikët kur mori vesh vdekjen e të fejuarit”

KAVAJË- Do të fshijë nga kujtesa momentin më  tragjik të jetës së saj.  Nuk do të kujtojë asgjë nga  aksidenti i kobshëm, nga  çasti kur autobusi fluturoi  në humnerë. Në kokë i kanë  mbetur vetëm të bërtiturat,  zërat e shoqeve të saj studente,  disa prej të cilave  tashmë nuk janë më. Adiola  Muska ka "frikë" të mbajë  hapin në auditoret e Universitetit  "Aleksandër Xhuvani"  në Elbasan. 

Ajo thotë  se nuk mund të kthehet më  në atë universitet, pasi nuk  do të takojë shoqet e saj që  humbën jetën më 21 Maj. Në  një intervistë dhënë dje për  "Gazeta Shqiptare", Muska  pohoi se ndihet e demoralizuar  nga ngjarja e  tmerrshme. Ndërkohë, vajza  që i mbijetoi tragjedisë  tregon për shoqet e saj dhe  në veçanti për Besjana Xhenetin,  e cila humbi të fejuarin  në aksident.

Kanë kaluar dhjetë ditë  nga aksidenti tragjik i Himarës.  Çfarë mbani mend në çastin e rënies së autobusit  ku ndodheshit ju dhe  shoqet e tua studente?
Mbaj mend vetëm të bërtiturat,  por nuk dua ta kujtoj  më atë moment të  tmerrshëm. Mbaj mend ndihmën  që na u dha në Himarë,  momentin që erdha në  Spitalin e Vlorës, por po i  harroj pak nga pak të gjitha  kujtimet e asaj tragjedie.  
Tani që gjendja jote  shëndetësore është  përmirësuar, kur do të  ktheheni në shkollë?
Dua të vazhdoj shkollën, por duhet dhe guxim për t'u  kthyer dhe njëherë mbrapa.  E kam shumë të vështirë të  kthehem përsëri atje, dhe  mos të shikoj më shoqet e  mia. Për herë të fundit ishim  bashkë në autobusin e vdekjes.  Ndërsa, tani nuk janë  më. Nuk besoj se do të rikthehem  më në Universitetin e Elbasanit, e kam shumë të  vështië.
Do t'a vazhdosh shkollën në qytet tjetër?
Nuk e di. E vetmja gjë që   mendoj tani, është të shërohem  dhe ajo që i mbijetova  aksidentit, ku fatkeqësisht shumë shoqe të miat nuk ia  dolën dot. Jam shumë e demoralizuar nga ajo që ndodhi jo vetëm fizikisht, por  edhe psikologjikisht.
Ke pasur vizita nga  shokë dhe shoqe të shkollës  këtu në Spitalin Rajonal  të Vlorës?
Po, kanë ardhur shumë  shoqe e shokë dhe më kanë   takuar. Së bashku me ta  kanë ardhur edhe pedagogët  e shkollës. I falenderoj të  gjithë nga zemra që m'u  gjendën pranë e që më dhanë  forcë për të jetuar.
Ti je e vetmja e plagosur  që vazhdon të kurohesh në  këtë spital. Ke kontakte me   vajzat e tjera që ishin shtruar  në këtë dhomë dhe  janë larguar?
Me vajzat kam folur vazhdimisht,  pasi interesohem  për shëndetin e tyre dhe ato  për shëndetin tim. E vetmja  që nuk kam arritur të flas,  është Besjana, e cila humbi  të fejuarin.  Pikërisht te krevati  ngjitur me tuajin ishte dhe Besjana Xheneti.
 Si e mësoi  ajo lajmin për humbjen  e të fejuarit, Armandos?  
I erdhën familjarët e të  fejuarit. Vjehrri i tregoi Besjanës  për vdekjen e Armandos.  Ajo u trondit shumë dhe  i ra të fikët. Pastaj ajo kujtoi se do ikte në varrimin e  tij. E gënjyen prapë, duke i  thënë se pasi atë ditë do të  varrosnin Armandon. Në  fakt i fejuari i saj ishte varrosur  5 ditë më parë. Unë e  dija, por nuk reagoja sepse  nuk doja që ta kuptonte. Ishte  një moment shumë i  dhimbshëm. Ishim të tronditur  të gjithë; Unë, vajzat e  tjera të plagosura si dhe  stafi mjekësor.
Para se t'i vinin familjarët  e të fejuarit, Besjana  nuk kishte marrë asnjë  lajm rreth fatit të Armandos?  
Të gjithë mundoheshin  që ajo të mos kuptonte gjë  për fatin e djalit, të cilin e  donte shumë. Thjesht i thonin  se ishte në gjendje të  rëndë në Spitalin Ushtarak  të Tiranës. 

Askush nuk guxonte  t'i jepte lajmin e kobshëm,  as dhe familjarët e saj.  I ke telefonuar Besjanës  pasi ajo doli nga spitali?
E telefonova, por më doli  tezja e saj, e cila më tha që  ishte shumë keq. E telefonova  përsëri në mbrëmje, por  telefoni më doli i mbyllur.  
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›