1 javë para provimit me zgjedhje, maturantët e Vlorës pa formularin A2
Ka ardhur koha kur maturantët vlonjatë ashtu si gjithë moshatarët e tyre në vend duhet të plotësojnë formularin A2 që presupozon degët që duan të vazhdojnë ata në shkollën e lartë, në raport kjo me dëshirën e tyre por edhe me mundësitë që u jep rezultati që kanë arritur në shkollën e mesme dhe në provimet e maturës. Mirëpo ata janë të ngurtësuar ta bëjnë këtë sepse ende ata nuk e dinë se çfarë degësh të reja do të hapen në universitetin e tyre Ismail Qemali ku mbase do të ndjeheshin komod në shumë arsye ku mbase më kryesorja është ajo ekonomike.
Shumë prej maturantëve të kontaktuar nga ana jonë kanë pohuar se më shumë po u dhëmb koka për faktin se çdo ditë nuk marrin asnjë njoftim të ri pranë këtij universiteti se sa për provimin me zgjedhje që e kanë pas 5 ditësh. Ndërkohë që në dy institucionet kryesore lidhur me zgjidhjen e këtij problem, atë të drejtorisë rajonale të arsimit dhe të vetë universitetit mëson se jo çdo gjë varet prej tyre. Në drejtorinë rajonale pohojnë se do të japin përplotësim formularin A2 sapo ai të mbërrijë në këtë drejtori dhe mendohet se ai do të vijë të hënën ndërkohë që në universitetin e Vlorës mësohet se vazhdon të rrijë në tryezën e ministrit të arsimit kërkesa e tyre për shtimin e lëndëve të reja ku më shumë është interesi për degën e financës. Maturantët vlonjatë e kanë kaluar me sukses provën e parë të provimeve, atyre të detyrueshme të matematikës dhe letërsisë dhe sipas informacioneve zyrtare Vlora është një nga rrethet me mesatare të lartë në këto dy lëndë që vlerësohet rreth 8. Tashmë këta maturantë presin dy provimet e tjera më zgjedhje që do ti japin në një ditë, më 10 korrik dhe më pas do të presin se çfarë surprize do tu japë ministria për degën që duhet të vazhdojnë në shkollën e lartë. Por ndërkohë ata duhet të plotësojnë edhe formularin e detyruar A2 ku duhet të shfaqin dëshirën për 10 degët e preferuara prej tyre. Ky formular në fillim u fol në qytetin bregdetar se do të plotësohej rreth muajit prill, më pas u shut për në fillim të muajit maj dhe më pas një vendim tjetër ishte për tu plotësuar menjëherë pas dy provimeve të para. Kjo justifikohej me mendimin që maturantët të kishin përllogaritur pikët e marra gjatë këtyre dy provimeve dhe më pas të shikonin mundësinë më të madhe se çfarë degësh do të zgjidhnin. Mirëpo kanë kaluar ditë të tëra që ata kanë marrë edhe rezultatet e lëndës së matematikës që ishte edhe provimi I dytë dhe nuk po u jepet mundësia për të plotësuar formularin A2. Në drejtorinë rajonale arsimore sapo interesohesh për këtë problem të theksojnë se sapo të vijë ky formular do të shpërndahet menjëherë nëpër shkolla ku tashmë ka mbaruar edhe instruktimi se si do të plotësohet ai. Mirëpo këtu nuk të japin asnjë përgjigje kur pyet se kur mendohet të vijë ky formular. Jemi në pritje të thonë të gjithë në këtë drejtori. Lidhur me faktin se kjo vonesë ka të bëjë me moskthimin e përgjigjes nga ana e ministrisë për degët e reja që do hapen në universitetin Ismail Qemali, në këtë drejtori ngrenë supet dhe nuk dinë çfarë të të thonë. Ndërsa kur këtë pyetje e bën tek drejtuesit e universitetit ata thonë se kjo duhet të jetë edhe shkaku kryesor i mosardhjes së formularit A2. Sipas këtyre drejtuesve, nga ana e rektoratit është bërë qysh muaj më parë një kërkesë në ministri për shtim të degëve të reja ku më kryesore përcaktohet ajo e financës por nga ministria përpara zgjedhjeve kishte ardhur një përgjigje negative por jo definitive. Kjo përgjigje kishte detyruar pedagogët e këtij universiteti të pezullojnë për dy ditë provimet me idenë e rritjes së presonit ndaj ministrisë. Mirëpo edhe 5 ditë pas mbarimit të zgjedhjeve nuk ka ardhur endë një përgjigje për këtë kërkesë. Një përgjigje që u duhet patjetër maturantëve vlonjatë por edhe atyre të rretheve të jugut që duan për shumë arsye të studiojnë në këtë universitet. Dhe ndër arsyet kryesore padyshim është ajo ekonomike. Nëse në këtë universitet tregojnë shumë maturantë do të kishte degë të tilla si financë apo arkitekturë, nuk do të ishte nevoja që ne të shkonim në Tiranë ku kostoja ekonomike është shumë e lartë. Këto degë por edhe të tjera të kërkuara nga rektorati I këtij universiteti ne mund ti zgjidhnim edhe në këtë universitet dhe të ishim pranë familjeve gjatë viteve të studimit. Maturantët por edhe drejtuesit e universitetit shpresojnë që menjëherë pas dhënies së verdiktit për përfundimin e zgjedhjeve parlamentare, pa u formuar qeveria e re, të vijë përgjigja për këto kërkesa dhe vetë maturantët të zgjedhin degët që dëshirojnë të studiojnë në shkollën e lartë.