Mbrojtja e të drejtave të njeriut, peng i statusit
Mbrojtja e të drejtave të njeriut nuk duhet të mbetet peng i mungesës së konsensusit për statusin e Kosovës. Është ky një nga përfundimet e raportit për Kosovën, të përpiluar nga Komisionari i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut. Komisionari Tomas Hamarberg ka nënvizuar se Kosova ka kornizë të duhur ligjore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, por lë për të dëshiruar zbatimi i saj.
Komisionari ka theksuar se të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, duhet të përfitojnë nga standardet evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në veçanti në qasjen e tyre në drejtësi, në politikë e të drejtat e njeriut, ka cituar pjesë të raportit shefi për komunikim me media në Zyrën e Komisariatit për të Drejtat e Njeriut, Stefano Montanari. Në një deklaratë Montanari u shpreh se një nga shqetësimet e Komisionarit ka qenë mungesa e konsensusit për statusin e Kosovës. Komisionari ka dashur të thotë se mungesa e konsensusit për statusin e Kosovës nuk duhet ti mbajë peng njerëzit që jetojnë në Kosovë. Pra, qëndrimi i tij është se çfarëdo që të jetë qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare për statusin, ai nuk duhet ti dëmtojë të drejtat e njeriut në Kosovë, tha Montanari. Kampi i romëve i kontaminuar me plumb, që gjendet në veriun e Kosovës, sërish është cilësuar si katastrofë humanitare, që kërkon zgjidhje urgjente. Komisionari ka kërkuar nga UNMIK-u dhe autoritetet e Kosovës mbylljen urgjente të tij. UNMIK-u, mbi të cilin bie barra më e madhe e përgjegjësisë për ekzistimin e këtij kampi, thotë se një pjesë të fajit e kanë vetë banorët që nuk kanë dashur të largohen. Megjithatë, zëdhënësi i UNMIK-ut, Rasell Giki, mendon se tani ka një përkushtim më të madh për mbylljen e kampit. Është një çështje shumë e komplikuar. Është bërë punë e madhe nga shumë njerëz. Megjithatë, është me rëndësi që të gjejmë një zgjidhje afatgjate, u shpreh Giki. Në raport kërkohet nga institucionet që të bëjnë përpjekje më të mëdha për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Edhe kësaj here, kritika të ashpra i drejtohen sistemit të drejtësisë, i cili vlerësohet të jetë i korruptuar, sikurse edhe shumë sektorë tjerë publikë. Ndryshe, Komisionari Hamerberg ka kërkuar llogaridhënie nga institucionet, duke vënë theksin te prania ndërkombëtare civile dhe ajo e sigurisë. Ai ka kërkuar që të krijohet një mekanizim efektiv, që sfidon veprimet e pretenduara të paligjshme të zyrtarëve ndërkombëtarë në Kosovë.