E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia nis fushatën e gjobitjes në masë të mjeteve për të mbushur arkën pas zgjedhjeve

Ndëshkim masiv ndaj mjeteve të parkuara gabim në kryeqytet 
Bashkia e Tiranës nis fushatat e saj duke i vënë fshesën makinave dhe motorëve në kryeqytet. Natën e së premtes ishte rikthimi i fushatave të famshme të bashkisë lidhur me vënien e gjobave. U rikthye fushata e famshme bllokim rrote si dhe mbledhja e makinave në të gjithë Tiranën. Paniku i vazhdueshëm i kryeqytetasve lidhur me parkimin si dhe me gjobat për parkim të gabuar ka qenë i vazhdueshëm gjatë këtyre kohëve por tani u kthye në një makth akoma më të madh. Gjatë natës së të premtes dhe në vazhdim nëpër të gjithë kryeqytetin u panë kudo makinat e policisë bashkiake, policët si dhe më pas karoatrecët.Mbledhja e makinave dhe e kotorrave për parkim të paligjshëm ishte në masë duke arritur në qindra të tillë. Gjithashtu nuk munguan as bllokuesit e rrotave si dhe fletat e gjobave që u prenë edhe për dhjetëra makina dhe motorë. Pa as edhe një lloj njoftimi forcat e policisë bashkiake i vunë fshesën të gjitha makinave që sipas tyre ishin të parkuara gabimisht në fakt qytetarët janë të çorientuar. Shoferët nuk e dinë se ku ti lënë makinat pasi akoma nuk e dinë se ku është zonë e lejuar pasi në Tiranë dallohen vetëm zonat e dalluara që janë kudo dhe kudo mungojnë ato të lejuarat. Me nisjen e kësaj fushate në fillimet e saj u regjistruan vetëm në ditët e para 2000 mijë makina të gjobitura si dhe 600 motorë. Ndaj me këtë fushatë ata arritën të korrnin shuma marramendëse duke llogaritur që vlera e një gjobe të tillë është 3000 lekë të reja si dhe duke i shtuar kësaj edhe pagesën e karoatrecit po ashtu edhe pagesën e parkingut ndaj çdo shoferi që i bllokohej makina nuk i mjaftonin më shumë se 4000 lekë të reja për ta larë atë gjobë.
Të jetë boshatisur arka e bashkisë?!
Tani është shumë e dallueshme të kuptohet se kur boshatiset arka e Bashkisë së Tiranës. Kjo pasi nga ana e këtij institucioni nisnin menjëherë fushatat e vënies së gjobave si dhe rritja e taksave vendore. Zgjidhja është gjetur nga krerët e bashkisë, sapo ato dallojnë se arka e parave të bashkisë nis të boshatiset ata nisin menjëherë fushatat e vënies së gjobave kryesisht me gjobitjen e makinave dhe të motorëve. Me rinisjen e fushatës së gjobitjes dhe të bllokimit të makinave dhe kotorrave në këto dy ditë na mbetet të mendojmë se arka e bashkisë na qenka boshatisur sërish. Ajo që i çudit të gjithë qytetarët është se çfarë është ajo që e boshatis këtë arkë herë pas here. Madje në këtë institucion ende nuk është miratuar as buxheti i ri, shpenzimet e saj kanë qenë në zero përderisa investimet kanë qenë të të njëjtit nivel. Shpenzimet e vetme që ka bërë kohët e fundit kanë qen ato për fushatë duke ditur që bashkia u kthye në një seli të dytë rozë duke bërë fushatë për kryetarin e saj. Po në fund të fundit çfarë ju intereson qytetarëve të Tiranës se u bë fushatë dhe se taksat e tyre ai i dërgoi në mbështetje të bashkisë ata i dhanë ato taksa për qytetin dhe për shërbimet e tyre e jo për të ndihmuar kryebashkiakun që të mbajë dy kunguj nën një sqetull.
Gjobat për makina nisën me ardhjen e emigrantëve
Sapo nisi fluksi i emigrantëve drejtë vendit tonë nisën edhe gjobat e policisë bashkiake në kryeqytet. Duke shfrytëzuar më së miri rastin se emigrantët nuk i njohin mirë rrugët këtu dhe si rrjedhojë as rregullat e qarkullimit dhe të parkimit si dhe rregullat e reja që nxjerr bashkia sa herë që ti dojë qejfi menjëherë bashkia rinisi fushatën e saj. Meqenëse numri i emigrantëve që sjellin edhe makinat është i lartë bashkia ka nisur të fërkojë duart dhe të luajë këmbët pasi e di që shanset për vjeljen e gjobave do të jenë të mëdha. Kjo fushatë jo se ka munguar gjatë gjithë kohës por ajo nisi papritur, pikërisht në këtë sezon ashtu siç ka ndodhur edhe më vitin e kaluar me ardhjen e emigrantëve, me një intensitet më të madh.
Dhjetëfishohet gjoba për parkimin e gabuar, nëse nuk e paguan atë
Në momentin që nisi fushata bllokim rrote u vu re që shumë nga qytetarët u treguan kokëfortë dhe nuk denjuan të paguanin gjobat, si dhe shumë të tjerë u munduan ti zhbllokonin vetë bllokuesit e rrotave. Të ndodhur para kësaj situate të pakëndshme për krerët e bashkisë ata vendosën të merrnin masa. Ishte vetë drejtori i kabinetit pranë kryetarit, Eduart Shalsi, i cili në një deklaratë për mediat u shpreh se: Gjatë ditëve të para të zbatimit të ligjit për bllokimin e automjeteve të cilat shkelin rregullat e parkimit, nga ana jonë u konstatuan dy aspekte kryesore. Njëri aspekt është se disa nga qytetarët të cilëve iu bllokuan makinat, erdhën dhe paguan gjobat, që janë 3 mijë lekë të reja, të cilët ne i falënderojmë jashtëzakonisht shumë dhe aspekti tjetër është se u vunë re shkelje të shumta. U konstatuan disa raste të dëmtimit të bllokuesve të rrotave si dhe shmangie të detyrimit të pagesës. Më tej Zoti Shalësi ka lëshuar kërcënimin: Këto automjete që kanë bërë shkelje do të gjobiten rëndë. Ne fotografojmë çdo mjet të bllokuar dhe nëse ata tentojnë të largohen me forcë, targa e automjetit do ti jepet policisë rrugore. E më pas, këto automjete do të gjobiten me dhjetëfishin e vetë gjobës e cila shkon deri në 30 mijë lekë të reja. Këtë detaj të strategjisë së Bashkisë e përforcon me ironi edhe një polic bashkiak, i cili thotë: Makinat që gjobisim i fotografojmë me celular dhe fotot ia nisim me bluetooth shefave.
Last Updated on Sunday, 05 July 2009 20:02

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›