E Shtunë, 31 Tetor 2026

1 mijë vjet në Jon

“Expedition Albania 2008” përfundon kërkimet në ujërat e Jonit, duke zbuluar gjashtë anije antike të mbytura 1000 vjet më parë. Zbulimi i anijeve është cilësuar nga arkeologët si më të rrallat dhe më të rëndësishmet në Mesdhe. Ekspedita është një marrëveshje midis Qendrës për Studimet Albanologjike "Instituti i Arkeologjisë", Ministrisë së Mbrojtjes dhe Fondacionit Amerikan "RPM Nautical Foundation". Materiali i gjetur në këto anije klasike i përket periudhës së fundit të shek. VI para erës sonë, duke mbërritur deri në periudhën bizantine

1 mijë vjet në Jon

Trill i fatit apo çudia arkeologjike ka ndodhur në ujërat e Jonit! Rreth gjashtë anije antike të mbytura prej një mijë vjetësh janë zbuluar nga arkeologët dhe specialistët e trashëgimisë nënujore. Ky është rezultati i ekspeditës arkeologjike nënujore në brigjet shqiptare, si ndërmarrje e përbashkët shqiptaro-amerikane duke i dhënë fund kërkimeve për këtë sezon. Rezultati për ekipin e arkeologëve ka qenë befasues duke u konsideruar si një nga ekspeditat më të suksesshme në këtë fushë.

Është konfirmuar kështu gjetja e pesë relikteve antike dhe dy të tjera janë në proces verifikimi.

“Zbulimi i mundshëm i 7 anijeve të periudhës klasike i bën këto zbulime nga më të rëndësishmet në Mesdhe”, - ka thënë prof. Neritan Ceka, një nga arkeologët e ekipit të ekspeditës shqiptaro-amerikane e përfshirë në logon “Expedition Albania 2008”.

Ekspedita është një marrëveshje midis Qendrës për Studimet Albanologjike "Instituti i Arkeologjisë", Ministrisë së Mbrojtjes dhe Fondacionit Amerikan "RPM Nautical Foundation". Materiali i gjetur në këto anije klasike i përket periudhës së fundit të shek. VI para erës sonë, duke mbërritur deri në periudhën bizantine. Kampione të materialit janë marrë nga specialistët për t’u identifikuar dhe rezultatet kanë qenë, sipas tyre, mjaft impresionuese duke konfirmuar lashtësinë e këtyre anijeve.

Anija e parë është zbuluar në thellësinë 70 metra, duke rezultuar si një anije e shek. VI para Krishtit dhe anija e dyte daton në shek. IV para Krishtit.

Anijet kanë ngarkesa me amfora të identifikuara si Korintike. Anija e shek. VI ka vetëm amphora korintike, ndërsa ajo që rezulton e shek. IV mbante një ngarkesë të plotë me pllaka qeramike korintike. Arkeologët e ekspeditës mendojnë se kjo është anija e parë e gjetur në Mesdhe, e cila ka një ngarkese të plotë me material të tilla.

Zbulimi i anijeve të kësaj periudhe është konsideruar si një nga zbulimet më të rralla në Mesdhe, duke e vendosur bregdetin shqiptar në një pozicion shumë të rëndësishëm për studimin e navigacionit antik. “Lajmi i zbulimit të këtyre anijeve të periudhës klasike është një lajm shumë i rëndësishëm për qarqet shkencore të arkeologjisë botërore”.

Në këtë ekspeditë shqiptaro-amerikane flitet për një ekip profesionistësh ku është përdorur teknologjia e fundit e kërkimeve nën ujore në thellësi të mëdha, për të cilën janë arkeologët pohojnë se për mjetet që ka në dispozicion, ku u përfshinë dy anije kërkimore, është një prej ekspeditave më të rëndësishme në Mesdhe. E veçanta e këtyre gjetjeve është se reliktet e 5 anijeve janë gjetur shumë pranë njëra-tjetrës, duke habitur specialistët pasi periudhat e relikteve të anijeve të mbytura shtrihen në një hapësirë kohore prej 1000 vjetësh.

Deri me tani sipas, arkeologëve, është bërë e mundur skanimi i bregut të detit nga Kepi i Ftelesë në Jug të Sarandës deri në Porto-Palermo. Ky skanim bëhet nga bregu i detit deri në 5 km nga bregu në thellësinë 300-400 metra. Drejtuesi shqiptar i ekspeditës, Adrian Anastasi, tha se "zbulimi i anijes antike me ngarkesë qeramike korintike është tepër i rrallë për t’u zbuluar në Mesdhe".

Kërkimet nënujore bëhen me mbështetjen e Fondacionit Amerikan RPM “Nautical Foundation” një institucion i njohur ky në fushën e arkeologjisë nënujore për Mesdheun. Ky fondacion ka zhvilluar kërkime të ngjashme në Turqi, Marok, Spanjë dhe këtë sezon sapo zbuloi në ujërat e Siçilisë një objekt me mjaft vlera siç ishte ajo e një rostroje romake, e njohur edhe si dashi i anijes, i cili godiste anijen kundërshtare.

Duke parë zbulimet arkeologjike nënujore, specialistët e arkeologjisë kanë hedhur për herë të parë idenë e krijimit të një parku në këtë fushë, duke menduar se do t’i jepte një dimension të ri trashëgimisë sonë kulturore. “Specialistët e kërkimeve nënujore kanë hedhur një ide të qartë, për të çelur për herë të parë në Shqipëri, një muze nënujore, gjë që do t'i jepte mundësi turistëve të prekin në thellësi të Jonit mjediset arkeologjike”, - u shpreh Anastasi, duke shtuar se në rast se këto objekte antike dalin mbi sipërfaqen e detit, atëherë këto vlera zhduken përjetësisht. Ndërsa koordinatori dhe nismëtari i projektit, Auron Tare, thotë se po shikohet si domosdoshmëri edhe krijimi i një Muzeu të Arkeologjisë nën ujore që do t’i shërbente njëkohësisht turizmit kulturor. “Kalaja e Porto-Palermos mund të ishte baza e shkëlqyer për të krijuar këtë Muze".

Ky është viti i dytë i projektit të ekspozitës nënujore që udhëhiqen në kërkime nga anija “Herkules”, ku për palën shqiptare drejtor projekti është dr. Adrian Anastasi dhe atë amerikane dr. Jeff Royal, me këshilltar shkencor arkeologun Neritan Ceka.

Pas rezultateve të këtyre kërkimeve nënujore, arkeologët tentojnë të krijojnë hartën dixhitale për trashëgiminë nën ujore si dhe identifikimin e relikteve arkeologjike, më pas për të krijuar një legjislacion modern për mbrojtjen e trashëgimisë nënujore për të mbërritur në pas në konceptin e muzeut në këtë fushë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›