E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gladiatori i Artë”, për Çekinë

Filmi "Unë i shërbeva mbretit të Anglisë" i regjisorit çek, Jiri Menzel, u shpall mbrëmjen e kaluar fitues i çmimit të madh "Gladiatori i artë" i Festivalit Ndërkombëtar Veror të Filmit që u zhvillua në qytetin bregdetar të Durrësit, nga data 23-31 gusht. Artdashës, artistë, politikanë të pranishëm në sallën e teatrit "Aleksandër Moisiu" përshëndetën fituesit e përzgjedhur nga juria e drejtuar nga Roland Sejko në përbërje të së cilës merrnin pjesë Marian Tutui, Burbuqe Berisha, Mimmo Mongelli, Elena Ciuffrida dhe Havier Lamburs. Nën duartrokitjet e gjata të publikut çmimin e madh "Gladiatori i artë", juria ia dha regjisorit çek Jiri Menzel për filmin "Unë i shërbeva mbretit të Anglisë". Çmimin special të jurisë e fitoi filmi norvegjez me temë shqiptare "Mirush". Çmimi për filmin më të mirë kombëtar e fitoi filmi "Koha e kometës" me regji të Fatmir Koçit. Çmimi i karrierës në fushën e regjisurës iu dha regjisores Xhanfise Keko, (pas vdekjes), autore e 12 filmave. Çmimi i karrierës për kontributin e dhënë si aktor iu dha aktorit Sandër Prosi (pas vdekjes). Çmimin si aktorja e më e mirë e fitoi protagonistja e filmit grek me temë shqiptare "Correction", Ornela Kapetani. Çmimin si aktori më i mirë e fitoi grupi i aktorëve meshkuj në filmin "Të gjallë e të vdekur". Në edicionin e parë të Festivalit Ndërkombëtar Veror të filmit në Durrës konkurruan 16 filma të autorëve nga Kroacia, Maqedonia, Serbia, Iraku, Estonia, Çekia, Turqia, Sllovenia, Gjermania, Greqia, Italia, Norvegjia e Bosnja, si dhe katër filma shqiptarë.

Filmat konkurrues janë shfaqur një natë më pas dhe në arenën e amfiteatrit antik të qytetit, ndërsa 12 filmat fitues të festivaleve kombëtare të filmit në vite janë projektuar mëngjeseve në seksionin e "Rikthimit të kinemasë Shqiptare". Festivali ka nisur të shtunën e kaluar më 23 gusht me premierën botërore të filmit "Koha e kometës" të regjisorit Fatmir Koçi.

“Koha e Kometës” hidhet në Tiranë

Filmi shqiptar “Koha e Kometës”, i bazuar në romanin e Ismail Kadaresë "Viti i Mbrapshte" dhe me regji të Fatmir Koçit, do të jepet premier edhe në kinema “Millenium” në Tiranë më datë 2 shtator, në të njëjtën kohë me shfaqjen

për herë të parë të tij në kinemanë ABC në Prishtinë. Rolin kryesor të këtij filmi e luan aktorja shqiptare e Hollivudit, Marsela Lusha. Në rolet e tjera interpretojnë artisti i njohur maqedonas Vllado Jovanovski, Çun Lajçi, Genti Zenelaj, Xhevdet Jashari, Luan Jaha, Adem Karaga, Marsela Lena, Naomi Valeska, Mendim Murtezi, Sefedin Shabani etj.

Filmi është një komedi romantike, ndërsa ngjarja bazohet në zhvillimet e vitit 1914, disa muaj para fillimit të Luftës së Parë Botërore. Pas 450 vitesh të sundimit të

Perandorisë Otomane, Shqipëria çlirohet. Për ta shmangur kaosin e mëtejmë, britanikët, gjermanët dhe francezët zgjedhin një princ gjerman, Vilhelm Vid, si mbret në Shqipëri. Mbreti pritet ngrohtë nga të gjithë, përveçse nga ekstremistët myslimanë dhe nga lideri i tyre Kus Babaj, i cili dëshiron që Shqipëria të jetë provincë e perandorisë otomane. Ai i shkruan mbretit dhe i kërkon që të bëhet synet, në të kundërt ata nuk do ta pranojnë si mbret dhe do të shpallin luftë. Në malet e Shqipërisë Juglindore, pesë fshatarë vendosin që të shkojnë në luftë. Me vete kanë vetëm një hartë të Perandorisë otomane e cila nuk i njeh kufijtë e Shqipërisë. Shestani (kapedani) dhe njerëzit e tij Cutja, Doska, Todi dhe Alushi vendosin që të luftojnë për mbretin me qëllim që ai të arrijë të vendosë paqen.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›