E Shtunë, 31 Tetor 2026

Filmi “kërkon” Durrësin

Festivali Ndërkombëtar i Durrësit ka fituar shumë popullaritet. Që nga dita e parë e hapjes së tij, ai ka pasur një interesim të veçantë nga ana e qytetarëve të Durrësit apo edhe pushuesve të ardhur nga vende të ndryshme. Dëshira për artin dhe të bukurën është shpirti i këtij evenimenti të rëndësishëm ku deri më sot, si dita e fundit e saj, është tejçuar tek çdo njeri me sloganin “Arti, mbiemri i qytetit tim”.

Suela Furriku

Festivali Ndërkombëtar i Durrësit ka fituar shumë popullaritet. Që nga dita e parë e hapjes së tij ai ka pasur një interesim të veçantë nga ana e qytetarëve të Durrësit apo edhe pushuesve të ardhur nga vende të ndryshme. Dëshira për artin dhe të bukurën është shpirti i këtij evenimenti të rëndësishëm ku deri më sot, si dita e fundit e saj, është tejçuar tek çdo njeri me sloganin “Arti, mbiemri i qytetit tim”. Madhështia e tij tregohet sapo hyn në qendër të qytetit. Ngado që të hedhësh shikimin, sytë zënë pothuajse të njëjtat postera. Në pamje të parë mund të na japë përshtypjen e një reklamimi të një aktiviteti të caktuar, por në fakt nuk është aspak ashtu. Është një prej evenimenteve më të rëndësishme të organizuar ndonjëherë në Shqipëri. “International Summerfest Film of Durrës” janë rreshtat që qëndrojnë kudo përbri stemës përfaqësuese të këtij eventi, “Gladiatorin i Artë”, në posterat e ngjitur në çdo cep dhe kënd të rrugës. Filmat e radhës do të zhvillohen edhe sot në Amfiteatrin e Durrësit, si një prej monumenteve kulturore më të rëndësishme të vetë qytetit. Aty ku në mbrëmje ky ambient disashekullorë kthehet tamam si një kinema verore. Salla e teatrit “Aleksandër Moisiu”, si dhe piaca përballë këtij institucioni pret paradite një numër të madh shikuesish dhe kineastë të ndryshëm. Por rëndësia e tij nuk qëndron vetëm këtu. Janë me qindra admirues të filmit që ndjekin me kërshëri filmat konkurrues. Sipas punonjësve të teatrit vetëm ditën e parë të festivalit salla është dominuar nga shikues të filmave, ndoshta sa për të shuar ndoshta kuriozitetin e publicitetit, ndërsa ditët e tjera është vënë re një venitje e lehtë. Por ajo çfarë është për t’u theksuar është fakti se vetëm në mbrëmje, pikërisht në amfiteatrin mijëravjeçarë, festivali ka një audiencë të jashtëzakonshme. Merr start çdo ditë që në orët e para të mëngjesit ku përfaqësues të filmave, kineastë apo përfaqësues të ndryshëm mbajnë një konferencë në ambientet e teatrit “Aleksandër Moisiu”. Shfaqja e filmave konkurrues vijon më tej programacionin e pjesës së parë të ditës, ndërsa në pjesën e dytë e deri në orët e vona të mbrëmjes nuk ka asnjë shans që karriget e amfiteatrit të gjenden bosh. “Është thuajse dita e fundit e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit. Na vjen mirë që interesi po vazhdon po aq sa ka qenë edhe në fillim, por le të shpresojmë që ta thotë auditori i ardhur atë që ia ka arritur qëllimit. Është vënë re se si në teatrin “Aleksandër Moisiu”, ashtu edhe në Amfiteatrin e Durrësit ka pasur një interesim të jashtëzakonshëm për filmat e shfaqur gjatë këtyre ditëve si rinia, kineastë të ndryshëm duke treguar se populli është i interesuar gjerësisht që ta kenë pranë kinemanë”, - është shprehur Anila Varfi, një nga organizatoret e evenimentit. Ajo ka shtuar gjithashtu se “filmat e ardhur të kompeticionit kanë qenë një kënaqësi e madhe në këtë pjesëmarrje. Kanë qenë filma të produksioneve të huaja si ata maqedonas, turk, norvegjez, irakian etj. Shpresojmë që të arrijmë ta kthejmë këtë festival të Durrësit në një traditë kinematografike dhe uroj që në vitet që do të vijnë do të jetë diçka më ndryshe, por seksionet do të jenë të ndryshme, do të jenë më të pasura sikur edhe identiteti do të jetë më i saktësuar”.

Por sa i përshtatshëm është organizimi i një festivali ndërkombëtar filmik në një sallë teatri dhe jo në një kinema? Edhe pse qyteti bregdetar, siç dihet tashmë vuan për një sallë kinemaje, aktiviteti vijon. Durrësi dallohet për pasuri dhe vlera të tjera kulturore, ndonëse mungon “shkronja A”, kinemaja e qytetit. Po megjithatë me sa duket nuk e ka penguar realizimin e festivalit. Organizatorja e festivalit, Varfi, ka treguar se Durrësi ishte qyteti më i përshtatshëm për faktin se ai kishte plot 18 vjet pa provuar magjinë e një kinemaje, por edhe sepse është një qytet që të ofron terren për shkak të turizmit. “Ka plot 18 vjet që nga viti 90 që Durrësi, i cili është qyteti më afër metropolit nuk e ka prekur magjinë e kinemasë. Është kërkuar Durrësi për një arsye tjetër veç kësaj të fundit. Është turizmi ai që krijon terren dhe që ofron mundësisë, është piaca e mrekullueshme, amfiteatri i cili mund të kthehet në një kinema të mrekullueshme nëse do të arrihet të punohet. Është pjesa e piacës e kthyer në një shesh filmi, apo pjesa e teatrit ku nga një vend i fjalës është kthyer në një vend që pasqyron fjalën, muzikën që mund të paraqitet në një kohë prej 35 mm. Por le të shpresojmë që shumë shpejt të ketë edhe ai një kinema të vetën”, - përfundon Anila Varfi. Ndërkohë që edhe një ndër aktoret më të shquara të kinematografisë sonë shqiptare, Drita Pelingu, është shprehur optimiste lidhur me këtë çështje. Janë vlerat muzeale dhe turizmi ai që ka tërhequr vëmendjen e organizatorëve në realizimin e festivalit ndërkombëtar të filmit. “Më vjen mirë që po organizohet këtu në Durrës, sepse pikërisht në këtë muaj ai është shumë i populluar. Ai është i mbipopulluar ku siç e dimë që turistët që vijnë janë jo vetëm nga trojet shqiptare, por edhe përtej kufijve. Ata duke ardhur këtu njohin më mirë kulturën tonë, vlerat muzeale të këtij qyteti, bregdetin e bukur apo diellin e mrekullueshëm që kemi. Por në të njëjtën kohë ato do të njihen edhe me zhvillimin e artit, sepse teoricienët e mëdhenj thonë kështu: “Më thuaj çfarë teatri ke, të të them se kush je ti si komb. Në zhvillimi i artit pasqyrohet në zhvillimin e vetë kombit”, - thekson aktorja e mirënjohur Pelingu.

Sot është dita e fundit e zhvillimit të festivalit të filmit. Çmimi i madh “Gladiatori i Artë” pritet të shkojë për filmin më të mirë mes 16 prodhimesh shqiptare, apo edhe ato të huaj. Ndarja e çmimeve do të bëhet në orën 20 e 30 në teatrin “Aleksandër Moisiu” para shumë kineastësh, të ftuar dhe pjesëmarrës të tjerë. Ndërkohë që mbrëmë janë shfaqur filmat e fundit garues për çmimin e madh. “I kam shërbyer mbretit të Anglisë”, një prodhim i Republikës Çeke me regji të Jiri Mnezel, “Trishtimi i Zonjës Shnajdër”, një bashkëprodhim shqiptaro çek, me regji të Pirro dhe Eno Milkanit, si dhe “Engjëll i Bardhë”, një film turk i regjisorit Mahsun Kirmizigul.

Drita Pelingu

Është bërë një organizim shumë i mirë qoftë për ideatorët, qoftë regjisorët apo edhe sponsorët që kanë bërë të zhvillohet ky festival ndërkombëtar këtu në Durrës. Më vjen mirë që po organizohet këtu në Durrës, sepse pikërisht në këtë muaj ai është shumë i populluar. Ai është i mbipopulluar ku siç e dimë që turistët që vijnë janë jo vetëm nga trojet shqiptare, por edhe përtej kufijve. Ata duke ardhur këtu njohin më mirë kulturën tonë, vlerat muzeale të këtij qyteti, bregdetin e bukur apo diellin e mrekullueshëm që kemi. Por në të njëjtën kohë ato do të njihen edhe me zhvillimin e artit, sepse teoricienët e mëdhenj thonë kështu: “Më thuaj çfarë teatri ke, të të them se kush je ti si komb”. Në zhvillimi i artit pasqyrohet në zhvillimin e vetë kombit.

I kam ndjekur shfaqjet, pjesën më të madhe të tyre. sigurisht kur kanë qenë dy shfaqje në natë jo gjithmonë i kam ndjekur, sepse është pak e lodhshme. Kam parë ato filma që më interesojnë, apo kur kanë qenë filmat e regjisorëve të njohur.

Kam vënë re që kam pasur një organizim shumë të mirë.

Më ka bërë përshtypje filmi “Mao Ce Duni” nga ato që kam parë deri tani. Më ka lënë mbresa jo vetëm figura e vetë Mao Ce Dunit që interpretohet mrekullisht, të cilin nuk e përfytyroj kurrë në këtë plan. Janë shumë origjinale skenat masive, muzika. Është një satirë e bukur që pasqyron një periudhë të caktuar të popullit tonë, marrëdhënien me kinezët. Më kanë pëlqyer shumë në përgjithësi. Apo edhe filmi “Sekretet” të regjisorit Spartak Peçanit. Unë aty kam një rol shumë të vogël dhe kur e pashë m’u kujtuan ditët e xhirimit. Kemi qenë në Vlorë dhe kam bërë rolin tri ditë para se të mbaronte filmi. Na duhej të mbaronim të gjitha xhirimet brenda këtyre ditëve, sepse na mbaronte kontrata që kishin nënshkruar. Pavarësisht kësaj, edhe kushtet në të cilat ndodheshim ishin shumë të vështira, sidomos për mua. Temperatura ishte rreth 40 gradë, në muajin korrik, ne xhironim në orën tre të mesditës, dhe unë isha e veshur e gjitha me veshje prej leshi. Nëse e keni parë filmin ajo ura e madhe e pambarim që lidh dy krahët është vetë vdekja. Vetëm se patëm një organizim shumë të mirë ku pjesëmarrësit janë angazhuar për t’u marrë vetëm me mua. Dikush mbante një kovë me ujë, dikush një karrige, dikush tjetër një leckë të lagur sa herë që bënte stop kamera, nga ana tjetër më binte vazhdimisht celulari ku të afërmit e mi shqetësoheshin për mua. Por filmi i ka këto lloj vështirësish dhe ne na duhej të përballemi, sepse siç e theksova edhe më lart ne na mbaronte kontrata.

Kam parë që filmi shqiptar dhe ai i huaj gjatë kësaj periudhe ndiqet dhe ka interes nga ana e publikut. Ndërsa në Amfiteatër salla është çdo natë plot. Ajo merr rreth 800 veta dhe jepet edhe në orë të vona.

Diçka më ka bërë shumë përshtypje. Sa i duan artistët populli i Durrësit. Ju them sinqerisht se kur ecim në rrugë nuk kalojnë grupe të moshave të ndryshme, e sidomos ato të rinj pa na përshëndetur apo duke na kërkuar autografe pa mbarim, dhjetëra fotografi. Apo kur ulemi në kafene nuk mbaj mend që kam pagur ende një kafe, sepse janë admiruesit tanë që kujdesen në këtë mënyrë, për mua dhe kolegëve të mi si Tinka Kurtin, pasi me atë jam edhe në një dhomë momentalisht, aq sa na vjen rëndë. Por kjo tregon se ata kanë një dashuri të madhe për artistin dhe respekt të jashtëzakonshëm.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›