Kamikazet sulmojne dy baza ushtarake
Trembëdhjetë ushtarë kanë humbur jetën dje në Afganistan pas një sulmi kamikaz të bërë nga grupet talebane ndaj dy bazave ushtarake. Atentatet që ndodhën thuajse njëkohësisht goditën një qendër rekrutimi të ushtrisë afgane në provincën Kunduz dhe një autobus me ushtarë në Kabul. Në kryeqytetin afgan, dy atentatorët ishin identifikuar nga policia, por pas një shkëmbimi, njëri prej tyre arriti të shpërthente afër autobusit. I dyti u vra nga forcat e sigurisë para se të aktivonte eksplozivin e tij. Ndërkaq, në provincën Kunduz, në jug të vendit, pesë ushtarë humbën jetën nga një atentat vetëvrasës të bërë nga katër talebanë. Dy shpërthyen në hyrje të qendrës, ndërsa të tjerët nisën të gjuanin kundër ushtarëve, pasi arritën të hynin. Presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, tha se atentatet “janë krime që nuk mund të falen, të bërë nga armiqtë e Afganistanit që janë kundër forcimit të ushtrisë afgane”. Rreth 700 ushtarë janë vrarë këtë vit në Afganistan, numri më i lartë që kur ka nisur lufta.