Ndeshja e zemrës për jetimët, Klubi i Patriotëve të Rinj i përgjigjet apelit, blen 250 bileta
Gazetarët kundër Tifozave Kuq e Zinj, nesër në Qemal Stafa ora 14:00
Klubi i Patriotëve të Rinj i është përgjigjur apelit për të mbështetur ndeshjen e bamirësisë në ndihmë të jetimëve të të shtëpisë së fëmijës “Zyber Hallulli”. Të rinjtë kanë blerë 250 bileta për ndeshjen e futbollit që do të zhvillohet të premten në orën 14.00 në stadiumin “Qemal Stafa” mes Tifozave Kuq e Zi dhe gazetarëve.
Një prej nismëtarëve të veprës së bamirësisë që kryhet për herë të parë në Shqipëri, drejtuesi i qendrës mediatike “Kurajo”, Hamza Hatika tha se llogaria bankare e hapur për fëmijët jetimë do të presë donacione deri në fund të vitit.
Një përfaqësi e gazetarëve dhe grupit ‘Tifozët Kuq e Zi’ vizituan një ditë më parë shtëpinë e fëmijës, “Zyber Hallulli” në prag të aktivitetit të bamirësisë që do të zhvillohet ditën e premte.
Në këtë takim, fëmijët u mësuan me programin, ndërkohë që u bë një apel edhe në drejtim të gjithë qytetarëve për pjesëmarrjen në këtë aktivitet. Në të njëjtën kohë u kërkua edhe kontributi nga ana e tyre për këta fëmijë në mënyrë që edhe kjo kategori e shoqërisë të festojë sa më mirë festat e fund vitit.
Aktiviteti i bamirësisë do të zhvillohet në ambientet e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” ku në program është edhe zhvillimi i një ndeshje mes gazetarëve dhe grupit ‘Tifozët Kuq e Zi’. Ekipet shoqërohen nga Dr.Ortoped z.Ardak Lulo. Të ardhurat që do të përfitohen nga ky aktivitet do të shkojnë për llogari të shtëpisë së fëmijës “Zyber Hallulli”. Biletat kushtojnë 200 lek të reja.