E Shtunë, 31 Tetor 2026

1 muaj para mandatimit, qeveria e re ende pa program

06-08-2013 / Gazeta 55

Edhe pse zyrtarizimi i draft-programit nuk do të vonojë përtej limiteve kohore, e sigurt është se asnjë prej premtimeve antiglobaliste të Edi Ramës nuk është përfshirë as në programin 100 ditore dhe as në atë 300 ditor. Premtimet e fushatës elektorale do të mbeten në sirtarët e premtimeve boshe të kreut të PS, në kërkim të votave si lëmoshë

Qeveria e re pritet të nisë punën pa patur asnjë program të shkruar, për 100 ditët e ardhshme. Fillimi i muajit gusht ishte afati i përcaktuar nga dy kryetarët e grupit të punës, Ilir Beqja dhe Edmond Haxhinasto për bërjen publike të programit, mbi bazën e të cilit mazhoranca e ardhshme do qeverisë vendin pas shtatorit. Edhe sot e kësaj dite askush nuk i di objektivat e qeverisë “Rama”. Askush nuk di një detaj konkret se çfarë përbën marrëveshja PS-LSI për 100 ditët e para të qeverisë, e jo më për 300 ditët që flet Rama.
Që në 18 korrik, Ilir Beqja dhe Edmond Haxhinasto lajmëruan se përveç platformës për 300 ditët e para të qeverisjes, ekziston një mikro- program, vetëm për 100 ditët e para, që vjen në kuadrin e ndërhyrjes emergjente për të kthyer stabilitetin. Mësohet se draft-programi është në duart e kryetarëve të dy partive kryesore të koalicionit mazhoritar, por asnjëri prej tyre s’ka dhënë ende pëlqimin e tij, edhe pse afatet kohore janë tepër të ngushta, për të mbajtur atë në “sirtar”, për të diktuar përshtypjet e njëri-tjetrit. E sigurt është që programin e mbajnë “peng” divergjencat dhe mungesa e një marrëveshje përfundimtare konfirmon plotësisht mospëlqimin për tematika të caktuara të programit. Kujtojmë që Edi Rama ka premtuar gjatë fushatës elektorale heqjen e taksave për biznesin e vogël, ndryshimin e sistemit të taksave nga taksë e sheshtë në progresive, shëndetësinë falas dhe krijimin e 300 mijë vendeve të reja të punës. Edhe pse zyrtarizimi i draft-programit nuk do të vonojë përtej limiteve kohore, e sigurt është se asnjë prej premtimeve antiglobaliste të Edi Ramës nuk është përfshirë as në programin 100 ditore dhe as në atë 300 ditor. Kësisoj, premtimet si, sistemi shëndetësor falas, heqja e taksave për biznesin e vogël dhe 300 mijë vendet e reja të punës, do të mbeten në sirtarët e premtimeve boshe të Edi Ramës, në lypjen e votave si lëmoshë. 23 qershori këtë fenomen prodhoi, “premto ç’të mundësh, për vota se, pas zgjedhjeve s’e ka kush mendjen”. Dhe janë jo të paktë ata që hëngrën sapunin për djathë...

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›