E Diel, 1 Nëntor 2026

1 qershori, politikanët bashkojnë mesazhet për të drejtat e fëmijëve



Jonida Tashi

Festa e 1 qershorit, Dita e Fëmijëve, ka bashkuar dje politikanët e vendit, të cilët, ndryshe nga çështjet politike, kanë dalë një zëri për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Përpos aktiviteteve të shumta, të zhvilluar nga disa institucione në kryeqytet, 1 qershori është shoqëruar nga mesazhe dhe premtime nga politikanët, në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve. Mesazhi më i fortë, i bërë dje me rastin e festës së fëmijëve, ka qenë apeli i Presidentit të vendit, Bamir Topi, i cili u ka kërkuar forcave politike që të mos i kthejnë sytë nga fëmijët vetëm për votat.
Mesazhet
Presidenti i vendit, Bamir Topi, hapi dje Lojërat Olimpike Speciale Shqiptare 2010. Në fjalën e tij, kreu i shtetit bëri apel për më shumë ndjeshmëri dhe solidaritet ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe për t’i dhënë mundësinë këtyre fëmijëve, për të tejkaluar të gjitha handikapet fizike dhe për të qenë njëlloj si gjithë të tjerët. “Duhet detyrimisht, ata që janë të veshur me përgjegjësi, ata që përfaqësojnë politikën, ata që shkojnë një herë në katër vjet, për të kërkuar votën e njerëzve, duhet detyrimisht të jenë më të motivuar, të jenë më të dashur, të jenë më të ndjeshëm, të jenë më shumë kontribues, sepse këta njerëz kanë nevojë patjetër të mbështeten, kanë nevojë të mbështeten”, - apeloi presidenti Topi, duke shtuar se kjo lëvizje kishte mbështetjen e tij institucionale. Kryeministri i vendit, Sali Berisha, në një aktivitet të titulluar “Fëmijët shqiptare drejt Europës”, të organizuar nga Ministria e Punës, duke folur për të drejtat që duhet të gëzojnë fëmijët shqiptarë ka përcjellë mesazhin se duhet t’i jepet fund punës së fëmijëve dhe analfabetizmit të tyre. Kreu i qeverisë ka deklaruar se këto janë kritere që duhet të plotësohen për realizimin e procesit të liberalizimit të vizave. “Duhet të kemi parasysh se heqja e vizave shton detyrimet e mëdha ndaj kujdesit për fëmijët. Për të parandaluar tërësisht punën e fëmijëve. Nuk ka asgjë më të egër, sesa shfrytëzimi i tyre për punë. Ky është një kapitull që duhet të mbyllet”, - u shpreh kryeministri Berisha. Kurse, kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, për t’ju uruar 1 Qershorin fëmijëve të kryeqytetit ka zgjedhur një mënyrë tjetër. Ai ju ka dhuruar atyre një kënd të ri lojërash, duke ju premtuar se do të ketë më shumë hapësira argëtuese edhe për fëmijët e periferive.
Konferenca
Me rastin e 1 qershorit, Ministria e Punës ka organizuar konferencën kombëtare “Fëmijët shqiptarë drejt Europës”, në të cilën ministrat e ministrive të linjës kanë raportuar për përmbushjen e detyrimeve dhe garantimin e të drejtave të fëmijëve. Garantimi i të drejtave të fëmijëve dhe përmbushja e detyrimeve institucionale në zbatim të Strategjisë Kombëtare të Fëmijëve 2005–2010, mblodhi dje në një konferencë kryeministrin Sali Berisha, ministrat Spiro Ksera, Myqerem Tafaj, Petrit Vasili, zv/ministrat Filloreta Kodra e Inva Zajmi, përfaqësues të shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare që veprojnë në fushën e të drejtave të fëmijëve, fëmijë, prindër dhe edukatorë. Në konferencën “Fëmijët shqiptarë drejt Europës”, e organizuar nga Ministria e Punës, si institucioni përgjegjës për monitorimin e Strategjisë Kombëtare, titullarët e Ministrisë së Punës, Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Brendshme prezantuan arritjet e institucioneve të tyre, në përmbushje të objektivave strategjikë dhe sfidat me të cilat përballen në përmbushjen dhe garantimin real të të drejtave të fëmijëve. Ministri Ksera, duke u ndalur tek Strategjia, vuri në dukje se procesi i zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Fëmijët është një proces gjithëpërfshirës, suksesi i të cilit kërkon koordinimin dhe harmonizimin e mirë të të gjithë aktorëve, pasi mungesa e koordinimit ndërinstitucional rrit vështirësitë për identifikimin e fenomenit, njohjen e përmasave të tij, analizën e shkaqeve e, për pasojë, planifikimin e ndërhyrjeve efektive në politikat sociale të mbrojtjes, zhvillimit dhe ri-integrimit të fëmijëve.

2 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›