Eagle Mobile, sjell katër parqe lojërash si dhuratë për fëmijët e Tiranës
Në këtë 1 Qershor, Eagle Mobile, ka sjell dhuratën më të bukur për fëmijët kryeqytetit. Katër parqe lojërash janë ndërtuar në katër lagje të ndryshme të Tiranës, për t’i bërë fëmijët të përjetojnë çaste mjaft të bukura dhe argëtuese. Eagle Mobile, këtë vit i ka kushtuar një vëmendje të veçantë mjedisit, duke e quajtur vitin 2010 “Viti i Mjedisit”. Por, krahas kësaj, kompania ka menduar edhe për mjedisin e fëmijëve, ku ata do të argëtohen në hapësira publike. Në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, kompania rinore Eagle Mobile ka mundësuar pajisjet më bashkëkohore për parqet publike, ku bëjnë pjesë lodrat të ndryshme. Me rastin e festës së fëmijëve është përuruar “Parku Eagle” pranë Presidencës nga drejtori i Përgjithshëm i Eagle Mobile, Ali Taskin dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Në ceremoninë e përurimit kanë qenë të pranishëm edhe drejtues të Eagle Mobile, së bashku me mëse 100 fëmijë nga kopshte të ndryshme të kryeqytetit, të cilët e kanë festuar ditën e tyre me muzikë, lojëra, dhurata dhe surpriza të ndryshme të organizuara nga Eagle Mobile. Katër parqet Eagle, të cilat janë dhuruar për fëmijët nëpërmjet Bashkisë së Tiranës, ndodhen në rrugën “Lord Bajron”, në Laprakë, në rrugën “Mine Peza”, blloku “7 Marsi”, në lulishten përballë Maternitetit të Ri dhe në lulishten përballë Presidencës.
2 Qershor 2010