E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy mjekë në hetim, merrnin nga 500 mijë lekë për lindjet



TIRANË - Dy mjekë janë shoqëruar nga policia dje pasi akuzohen për korrupsion. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë se, në kuadër të operacionit policor “My baby”, i realizuar nga specialistët e Seksionit Kundër Korrupsionit në Policinë e Tiranës, në bashkëpunim më Njësinë Task-Forcë pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, u arrit të dokumentohet aktiviteti i dy mjekëve, pranë maternitetit “Mbretëresha Gelardinë” në Tiranë. Të shoqëruarit janë, Janaq Kasapi, 54 vjeç, me banim në Tiranë, me detyrë mjek kirurg dhe përgjegjës i grupit të mjekëve pranë maternitetit “Mbretëresha Gelardinë” në Tiranë dhe Arti Qosja, 38 vjeç, me banim në Tiranë, me detyrë mjek reanimator pranë maternitetit “Mbretëresha Gelardinë” në Tiranë. Në ngarkim të tyre, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka caktuar masën e sigurimit “garanci pasurore” për konsumim të veprës penale të “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Pas një hetimi disamujor të realizuar nga specialistët e Seksionit Kundër Korrupsionit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë u dokumentua tërësisht implikimi i tyre, ku për çdo lindje me operacion, të lartpërmendurit dyshohet se merrnin shumën prej 500 mijë lekësh.

Prodhonin bozë pa licencë, arrestohen dy persona

TIRANË - Prodhonin pije të paligjshme, ndalohen dy persona të dyshuar. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës kanë bërë të ditur se efektivët e Seksionit Kundër Krimit Ekonomik Financiar finalizuan një tjetër operacion, duke kapur në flagrancë dy shtetas, për prodhim të produkteve ushqimore në mënyrë të kundërligjshme. Dy të dyshuarit, të cilët u vunë në pranga, janë: Fiqiri Enesi, 62 vjeç dhe 55-vjeçarja me inicialet L. E, të dy lindur e banues në Tiranë. Këto dy persona janë kapur në ambientet e një lokali të ndodhur në rrugën “Frosina Plaku” në Tiranë. Ndërtesa ishte përshtatur për prodhim dhe tregtim të produkteve ushqimore të palicencuara për prodhim dhe të pamiratuar nga organet tatimore. Gjatë këtij operacioni policor është sekuestruar punishtja dhe në cilësinë e provës materiale një sasi prej 5000 shishesh plastike 1.5 litërshe, një makineri për prodhim boze, si dhe 600 litra bozë e paambalazhuar. Pas arrestimit të tyre, dosja me materiale i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për hetime të mëtejshme ndaj tyre, për konsumim të veprës penale të “prodhimit të kundërligjshëm i artikujve industrial dhe ushqimorë”.

2 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›