E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mallra kontrabandë, në pranga doganieri



KORÇË - Kontrabanda e mallrave ka çuar në pranga katër persona. Burime zyrtare nga Policia e Korçës thanë se është arrestuar një doganier nën akuzën e korrupsionit. Mësohet se Artur Kreka, në bashkëpunim me 3 persona të tjerë, tentuan të kalonin 800 kg fruta kontrabandë. Ngarkesa do të kalonte nga dogana e Kapshticës, ndërsa personat e arrestuar do të kishin përfitimet e tyre për këtë kalim të pakontrolluar. Mësohet se doganieri Kreka ka bashkëpunuar me administratorin e firmës “Vasport Import-Eksport”, Aurel Cyfeku, për të kaluar ngarkesën me fruta, edhe ky person i arrestuar. Hetimet për çështjen në fjalë vazhdojnë.

Trafiku i drogës, Policia italiane ndalon tre shqiptarë
BARI - Policia italiane ka mundur të arrestojë në Bari 3 shqiptarë të akuzuar për trafik droge. Sipas burimeve të Policisë italiane, shqiptarët janë kapur me 51 kilogramë drogë të llojit kokainë. Droga e futur ilegalisht në Itali vinte nga Shqipëria, ndërsa mësohet se operacioni i Policisë italiane ka vazhduar më tej, duke bllokuar 2 laboratorë droge, në Romë e Milano, të përdorur nga trafikantët shqiptarë. Në pranga janë vënë, Ardian Deliu, 37 vjeç, që është arrestuar në Milano, Musa Olldashi, 29 vjeç, i ndaluar në Bolonja dhe Klejdi Bulku, 33 vjeç, i ndaluar në Bari. Ata dyshohen se mund të jenë pjesë e një rrjeti trafiku të përbashkët italo-shqiptar droge.

Godet drejtorin e shkollës, pranga të riut

TIRANË - Godet drejtorin e Shkollës së Mesme, arrestohet një 29-vjeçar. Policia e Tiranës ka bërë të ditur se shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 Tiranë kanë vënë në pranga në flagrancë të Dritan Alhasa, 29 vjeç, banues në fshatin Zhamë, Lushnjë, sepse dje, rreth orës 10:40, për shkak të detyrës ka goditur drejtorin e shkollës së mesme në Sanatorium. Dosja me materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë për konsumim të veprës penale “goditje për shkak të detyrës”.

2 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›