E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhdoganimet e naftës, arrestime në Inspektoratin e Karburanteve



Artan CENA
TIRANË - Korrupsioni me zhdoganimet e anijeve të naftës ka çuar në pranga kryeinspektorin pranë Inspektoratit Qendror Teknik të Karburanteve, si dhe dy inspektorë. Lajmi është bërë i ditur pasditen e djeshme nga vetë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, në një konferencë shtypi. Sipas tij, arrestimet janë bërë gjatë operacionit të koduar “Bojaxhiu”, pas tetë muaj hetimesh ndaj të dyshuarve. Në pranga kanë rënë, Virgjil Joti, Luan Qato dhe Kastriot Vakaj. Denoncimi ishte bërë nga një biznesmen që sillte naftë në Shqipëri. Këtij të fundit, të arrestuarit i kishin kërkuar nga 10 mijë dollarë për çdo anije që do të zhdoganohej. Burgaj tha se të arrestuarit kanë përfituar shumën e 100 mijë dollarëve gjatë muajve që ishin nën hetim. Hetimet janë bërë nga Departamenti i Hetimit të Krimit në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me Njësinë e Përbashkët Hetimore të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Hetimet
Shuma e madhe e parave të paguara nën dorë ka bërë që një biznesmen të denoncojë në polici, disa zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë. Nga të dhënat është mësuar se tregtari i karburanteve ishte paraqitur në Policinë e Shtetit dhe kishte paraqitur fakte ndaj të arrestuarve të djeshëm, për korrupsionin që po bënin. Me të marrë denoncimin, kanë nisur hetimet nga Departamenti i Hetimit të Krimit në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me Njësinë e Përbashkët Hetimore të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Gjatë kësaj kohe, policia ka arritur në përfundimin se, personat e sipërpërmendur për një periudhë prej 8 muajsh në vazhdimësi i kanë kërkuar biznesmenit që kishte bërë denoncimin, shumën prej 10 mijë dollarësh për çdo anije të zhdoganuar. Në këtë mënyrë ata kanë përfituar paligjshmërisht në total shumën prej 100 mijë dollarësh. Gjatë këtyre hetimeve efektivët e Policisë së Shtetit dhe të Prokurorisë kanë përdorur dhe metodat speciale të hetimit, si përgjimet, ndjekjet në terren, fotografimet dhe incizimet e bisedave të zhvilluara.
Arrestimet
Pasi janë siguruar provat e mjaftueshme ndaj të dyshuarve, policia dhe prokuroria kanë dërguar në gjykatë kërkesën për masën e sigurisë ndaj tyre. Gjykata e Tiranës, në bazë të provave, ka miratuar kërkesën e arrestimit për, Virgjil Jotin, me detyrë kryeinspektor pranë Inspektoratit Qendror Teknik të Karburanteve, Luan Qaton, inspektor pranë Inspektoratit Qendror Teknik të Karburanteve, si dhe Kastriot Llakaj, gjithashtu inspektor pranë Inspektoratit Qendror Teknik të Karburanteve. Këta persona janë arrestuar në flagrancë pasi i kanë marrë një grosisti karburantesh shumën prej 20 000 dollarësh në këmbim të dhënies së lejes së kryerjes së kontrollit teknik e zhdoganimit të një anijeje me karburant. Dosja ndaj tyre me materialet procedurale i kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë nën akuzën e kryerjes së veprës penale të “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.

2 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›