E Diel, 1 Nëntor 2026

1 vit liberalizim vizash, Berisha: Rama nuk i'a doli ta bllokojë, tani peng integrimin

TIRANË- Kryeministri i vendit Sali Berisha 1 vit pas procesit të liberalizimit të vizave për shqiptarët akuzoi kreun e Partisë Socialiste Edi Rama se ka tentuar të bllokojë procesin e liberalizimit, duke lobuar në disfavor të vendit, por sipas kreut të qeverisë nuk i'a doli.

“Liberalizimi provoi se shqiptarët e meritonin plotësisht. Shqiptarët ishin fatlumë, pavarësisht përpjekjeve të mëdha dhe më unike në historinë e Europës, të kreut të opozitës për të bllokuar procesin e vizave. Thirrjet hap kutitë, letrat e tij se po hoqët vizat 800 mijë apo 1 milion shqiptarë do derdhen në Europë patën zero efekt në proces. Europa vecse u cudit”,- theksoi Berisha.

Shefi i qeverisë në një konferencë për mediat në Kryeministri, deklaroi se kreu i opozitës po mban peng integrimin e vendit për shkak të interesave personale, duke mos votuar ligjet që kërkojnë 3/5 në Parlament.

“Shqiptarët ishin me fat se ky proces, ndonëse bazohej në dhjetëra ligje e reforma nuk bazohej në ligje me 3/5 që të mund ta bllokonte zoti Rama, si bllokoi cdo ligj me 3/5 përfshirë dhe ata që kanë të bëjnë me sigurinë rrugore dhe jetën e shqiptarëve, me luftën kundër larjes së parave dhe trafiqeve, me gjykimin mbi bazën e kodit administrativ. Na kanë mbetur ligjet me 3/5 që Rama i mban si plackë tregu për të dënuar shqiptarët me statusin e vendit kandidat”,- theksoi Berisha.

Kryeministri Berisha duke ju përgjigjur interesit të gazetarëve sqaroi se shqiptarët do të jenë ata që do të zgjidhin cështjen e marrjes së statusit kandidat për në BE.

“Në 8 maj Rama përpjetoi humbje. Nuk e di nëse do të ngushëllohet, duke e shpallur veten ‘Kurban’. Por, ai mbetet humbësi me 41 mijë vota në shkallë vendi, me 19 deputet më pak, humbës në shumicën e minibashkive, humbës në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Kjo do thotë që qeveria do bëjë cfarë ka në dorë që të marrë statusin e vendit kandidat, por qeveria nuk është ajo që disiplinon apo udhëheq opozitën, ajo është sovrane në këtë vend dhe këtë nuk mund ta shkelim kurrë. Shqiptarët do zgjidhin problemin, para apo pas 2012 këtë e dinë shqiptarë”,- nënvizoi kryeministri.

Pyetjes së gazetarëve për një marrëveshje të fshehtë PD-PS sa i përket refomës zgjdhore, Berisha sqaroi se gjithmonë ka patur dhe do ketë kontakte ndërmjet palëve, por kjo nuk do të thotë se janë të fshehta.

“Mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike ka kontakte dhe kjo është gjëja më normale. Këto kontakte janë të domosdoshme për të diskutuar për çështje që janë të një rëndëisie të dyanshme. Është e sigurtë që çdo propozim i opozitës ne e shqyrtojmë me seriozitet të merituar. Ky është qëllimi im konstant dhe i përhershëm dhe këtu s`ka asgjë për t`u çuditur nëse diskutohet për tema që dihen”- u shpreh Berisha.

Kryeministri Berisha në fund të konferencës prezantoi Ilir Kadiun si këshilltarin e ri të kryeministrisë për Marrëdhëniet me Publikun.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›