E Shtunë, 31 Tetor 2026

1 vit nga tragjedia ne Smolensk Polonia perkujton 96 viktimat

Zonja e parë e Polonisë, Ana Komorovska, e familjarë të viktimave të aksidentit ajror të një viti më parë  në Smolensk, në Rusi, vendosën kurora me lule  në vendin e aksidentit. Në tragjedi humbi jetën dhe presidenti polak si dhe 95 persona të tjerë.

Por një vit pas tragjedisë mes Rusisë dhe Polonisë kanë shpërthyer polemika. Rezultati i hetimit rus për aksidentin  fajëson pakujdesinë e pilotëve dhe autoritetit polak në bord  çka për Varshavën që fajëson kontrollorët ajrorë ruse, është e papranueshme. Në këtë klimë dhe ceremonitë përkujtimore janë kthyer në objekt debatesh.

Varshava është e zemëruar se Moska ka larguar një pllakë përkujtimore në vendin e përplasjes, në Smolensk, në të cilën në gjuhën polake, theksohej se në aeroplanin, që u rrëzua më 10 prill të vitit 2010, delegacioni i Polonisë udhëtonte për në Rusi, për të vizituar Katin, aty  ku policia sekrete ruse, në vitin 1940, kishte vrarë 22 mijë oficerë ushtarakë dhe intelektualë polakë.

Pllaka e re është e shkruar në gjuhën ruse dhe polake, por nuk përmend masakrën e Katinit.  Pritet që për këtë çështje, të diskutohet kur presidenti i Polonisë, Bronislav Komorovski,të shkojë në Rusi, aty ku dhe presidenti rus, Dmitri Medvedev, do të vizitojë vendin ku u rrëzua aeroplani i Polonisë.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›