Varreza masive, antropologu: Një skelet është i dyshimtë
Një nga ekspertët më të mirë në botë në fushën e antropologjisë ka mbërritur në Tiranë për të ndihmuar identifikimin e viktimave të gjetura në varrezën masive të Dajtit, e cila u zbulua dy muaj më parë. Ali Chadly, President i Akademisë Mesdhetare të Shkencave Ligjore, ndodhet në Tiranë për të dhënë ndihmën e tij për identifikimin e viktimave të groposura në varrezën e Dajtit. Eksperti i antropologjisë ka marrë pjesë në një leksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë, lidhur me të rejat e fundit në këtë shkencë të mjekësisë dhe kriminalistikës, dhe më pas, bashkë me mjekët ligjorë shqiptarë, ka kryer ekzaminime në ambientin ku mbahen skeletet e gjetura në varrezën e Dajtit. Pas ekzaminimeve të kryera me praninë e mjekëve ligjorë shqiptarë, eksperti Ali Chadly ka thënë se grupi shqiptar i punës ka ndarë në mënyrë të saktë 13 skelete të formuara pas përputhjes së kockave me njëra-tjetrën, duke shtuar se i dyshimtë është një skelet i mbetur i veçuar, i cili sipas Ali Chadly ka edhe tiparet e një skeleti mashkullor, edhe të gjinisë tjetër, çka do të thotë se pjesët e tij mund të jenë ngatërruar dhe mund t’u përkasin dy personave të ndryshëm. Lidhur me viktimat e tjera, antropologu Ali Chadly ka thënë se 13 skeletet u përkasin personave të gjinisë mashkullore. “Disa prej këtyre skeleteve kanë tipare të kockave mashkullore, pra u përkasin personave të gjinisë mashkullore, por njëra prej tyre duket ambiguit”, thotë Chadly. Ndërkohë, për skeletin e dyshimtë ai tha: “Ky rast duhet parë, nuk mund të dilet shkencërisht në një përfundim për këtë skelet ambiguit. Nuk mund të jepet një konkluzion për gjininë e këtij skeleti. Gjinia e këtij skeleti duhet riparë, sepse është e vështirë të besohet se një skelet mund të ketë në të njëjtën kohë në kocka njërën anë femërore dhe tjetrën mashkullore. është e vështirë të besohet kjo gjë. Ndoshta duhet marrë në konsideratë, ngatërrimi i kockave ose diçka e tillë”.
#