10 milionë juanë, për të ndihmuar ekonominë shqiptare
Kina i jep Shqipërisë në formë granti një shumë prej 10 milion juanë kinezë për të ndihmuar ekonominë shqiptare në infrastrukturë dhe telekomunikacion.
Marrëveshja u nënshkrua përkatësisht prej zv.Ministrit shqiptar Eno Bozdo dhe zv. Ministrit të Kinës Zhong Shan. Bozdo në fjalën e mbajtur me këtë rast u shpreh se është diskutuar që midis dy vendeve të krijohet një plan pune i përbashkët për energjinë e rinovueshme, fushën minerare etj.
Ndërkohë zv. Ministri i Kinës Zhong Shan u shpreh se është rënë dakort që bashkëpunimi midis dy vendeve të zgjerohet edhe në sektore të cilat deri në këto momentë nuk janë përfshirë. Kina vlerëson marrëdhëniet ekonomiko-tregtare me Shqipërinë, e konsideron Shqipërinë si një vend të rëndësishëm në Ballkan dhe populli kinez ka ndjenja shumë të thella ndaj popullit shqiptar. Qëllimi i vizitës në Shqipëri është nxitja e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve.
"Ne kemi biseduar me Ministrin dhe me Zv. Ministrin për fondet ekonomike-tregtare midis dy vendeve tona dhe kemi rënë në konsensus që qeveria kineze të inkurajojë ndërmarrjet kineze që të vijnë në Shqipëri për të investuar, si dhe për të bashkëpunuar në fusha të ndryshme, veçanërisht në infrastrukturë, në telekomunikacion etj. Besoj se kemi një perspektivë në të ardhmen për bashkëpunim midis dy vendeve. Besoj se marrëdhëniet e mira ekonomiko-tregtare midis dy vendeve janë në të mirë të nxitjes së marrëdhënieve midis dy vendeve"
Zv.Ministri kinez i Tregtisë zhvilloi gjithashtu edhe një takim me Ministrin e Ekonomisë Nasip Naco me të cilin diskutoi për perspektivat ekonomike të të dy vendeve.