Qeveria vendos të falë INSIG-un
Pasi dështon me privatizimin e aksioneve të kompanisë, qeveria ndryshon formulën e privatizimit duke hequr çmimin minimal të referencës për ta shitur më lirë
Qeveria shqiptare po tenton të shesë me urgencë dhe në mes të krizës ekonomike një nga kompanitë më të rëndësishme të sigurimeve, INSIG. E nxjerrë në shitje që në vitin 2008 kjo kompani nuk ka arritur të marrë oferta të favorshmë për privatizim duke e lënë këtë kompani në mëshirë të fatit. Por tani që qeveria ndodhet në një pikë kritike me buxhetin e saj ka vendosur që ta shesë këtë kompani me çdo çmim që mund të ofrohet duke hequr çmimin minimal të referencës të vendosur në vendimin e mëparshëm të shitjes. Në Kuvend ka mbërritur formula e re e privatizimit e miratuar disa ditë më parë nga qeveria shqiptare, edhe pse nuk u fol fare për çmimin por gjasme për dhënien e prioritetit të blerësve vendas për këtë kompani. Deputeti socialist Erion Braçe, anëtar i Komisionit të ekonomisë në Kuvend e quan një skandal këtë formulë të re. Ai bëri të ditur dje për gazetën Tema përmbajtjen e projektit të ri të qeverisë për shitjen e INSIG-ut që i hap rrugë shitjes së tij me çmimin më të lirë të mundshëm. BNP Paribas, të cilën e kanë këshilltar financiar për këtë privatizim i ka bërë me dije se çmimi minimal është përgatitur para krizës financiare dhe tani që jemi në krizë është bëre pengesë për ofertuesit. Sipas projektligjit ofertuesit paskan qenë fare të paktë. Praktikisht keshilltari financiar ju thotë që nuk do merrni nga shitja as çmimin minimal. Është ajo që ne i kemi thënë pa fund: nuk shitet në kohe krizë sepse ai që fiton ështe gjithnjë blerësi, thotë Braçe. Ai e cilëson alarmante këtë vendim pasi një aset shtetëror aq i rëndësishëm nuk do të privatizohet me një çmim që meriton në treg dhe i hap rrugë gjithashtu abuzimit dhe korrupsionit të procesit të privatizimit. Në relacionin shoqërues të këtij projektligji thuhet gjithashtu se çmimin e ri do ta përcaktojë këshilltari dhe do ta miratojë qeveria, një tjetër mundësi për abuzim. Vetëm më datë 9 qershor qeveria mori hapat e saj për të shitur sa më shpejt këtë kompani. Në vendimin e saj që nuk u bë publik përcaktohet marrja e një këshilltari për procesin, i cili në kohë rekord ka ligjëruar faljen e kompanisë shqiptare. Sipas ligjit aktual për shitjen e INSIG-ut në tenderin e hapur ndërkombëtar do të dalin në shitje 100% e aksioneve të kësaj kompanie, pas kthimit nga dy institucionet ndërkombëtare financiare BERZH dhe IFC, dhe të 39% e aksioneve të qeverisë shqiptare. Privatizimi i INSIG-ut ka dështuar disa herë. Kompania amerikane “American Reserve Life insurance”, e cila fitoi garën për privatizimin e INSIG-ut më 2009, hoqi dorë nga kompania për shkak të krizës në të cilën ndodhej kompania amerikane. Amerikanët e blenë shoqërinë e vetme shtetërore të sigurimeve INSIG për shumën totale prej 41 milionë eurosh, vlerë e cila nuk u derdh kurrë në arkën e shtetit, për shkak të amullisë që krijoi kriza financiare ndërkombëtare edhe në buxhetin e “American Reserve Life insurance”, e cila tentoi të blinte INSIG-un, por u tërhoq pasi u shpall fituese e garës.
Berisha: Të finalizojmë sa më shpejt privatizimet
Qeveria shqiptare ka treguar një ngutje të pashembullt për të privatizuar çdo pronë publike pas zgjedhjeve të 8 majit. Ajo nxori në shitje Hidrocentralet më të mëdha të vendit dhe gjithashtu çdo objekt tjetër shtetëror përveç spitaleve e shkollave. Ndërkohë duke paralajmëruar skemën që kishte ndërmend për të shitur sa më shpejt INSIG-un Kryeministri Berisha dy javë më parë kërkoi nga ministri i Financave që të shqyrtohen termat, të përshtaten me situatën e realitetit dhe të procedohet me privatizimin e INSIG-ut. “Janë ndërkohë edhe 1280 objekte të tjera, të cilat janë në proces e sipër. Të gjitha këto objekte në rast se kanë pronar, do të respektohet e drejta e parablerjes nga pronari. Por këto objekte do të privatizohen në përputhje me rregullat dhe me transparencë të plotë”, tha më Berisha. Ai kërkoi që gjysma e dytë e këtij viti, të konsiderohet si vendimtare në kompletimin e procesit të privatizimit. “Shqipëria do të ketë si pronë publike digat e mëdha, shkollat e spitalet, parqet kombëtare dhe tokat pa pronarë. Të tjerat do të jenë tërësisht në administrim dhe menaxhim të sektorit privat”, tha Berisha.