E Shtunë, 31 Tetor 2026

10 policë bilbila nën hetim

Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm po heton disa uniforma blu, të cilët dyshohet se kanë njoftuar kontingjente policie, pak para se kolegët e tyre tu vinin prangat

TIRANË-  Përgjatë këtij vitit, të paktën 10 punonjës policie mbajnë mbi kurriz dyshimet se kanë dekonspiruar aksionet e kolegëve të tyre. Puna e policisë padyshim që do të shënonte arritje edhe më të mëdha nëse në radhët e uniformave blu nuk do të kishte elementë të pandërgjegjshëm që bashkëpunojnë me grupet apo individët që ushtrojnë veprimtari kriminale. Të dhënat tregojnë se në harkun kohor janar-gusht, të paktën 10 punonjës policie janë ndëshkuar me masa administrative apo ndjekje penale, për lidhjet e tyre me elementë kriminalë dhe dekonspirimin e operacioneve të policisë për arrestimin e të kërkuarve. Burime pranë Ministrisë së Brendshme thanë për “Korrierin”, se edhe pse puna e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në evidentimin dhe ndëshkimin e këtyre elementeve ka qenë tepër rezultative, përsëri vazhdon të jetë prezent fenomeni i dekonspirimit të operacioneve të policisë. Por, numri i uniformave blu të ndëshkuara për lidhjet e tyre me krimin mund të rritet në muajt në vazhdim, pasi konfirmohet fakti se SHKB-ja ka nën hetim disa policë të tjerë të rolit bazë dhe atij të mesëm, të cilët dyshohet se kanë dekonspiruar disa operacione policie.

Dekonspirimet

Më 14 shkurt të këtij viti, një grup operacional i përbërë nga figura të larta të policisë së shtetit, nisen drejt qytetit të Fierit për arrestimin e të kërkuarit për vrasje Arben Isufaj, i njohur ndryshe si Ben Qimja. Çuditërisht, policia nuk e gjen në shtëpi të kërkuarin, megjithë informacionet e sakta që ishin siguruar rreth vendndodhjes së tij. Nga hetimi i mëvonshëm i dekonspirimit rezultoi se vetëm 15 minuta para se policia të mbërrinte në banesën e tij, i kërkuari ishte lajmëruar nga një numër grek, i cili ndër të tjera ka përmendur edhe emrin e një zyrtari të lartë të policisë. Policia dhe Prokuroria fajësuan njëra-tjetrën për dekonspirimin e operacionit, ndërsa çështja po hetohet nga Prokuroria e Përgjithshme. Por ky është vetëm një rast ku uniformat blu (pa përjashtuar as zyrtarët e Prokurorisë) implikohen në dekonspirimin e kolegëve të tyre. Sipas burimeve të gazetës, raste të tilla janë evidentuar edhe më parë, por mbetet ende problem gjetja e fajtorit të vërtetë, pasi pjesa më e madhe e dekonspirimeve përfundojnë me ndëshkimin e policëve të rolit bazë, të cilët ndoshta nuk mund të kenë asnjë informacion rreth çështjes në fjalë. Statistikat tregojnë se pavarësisht të implikuarve në dekonspirimin e operacioneve, nuk evidentohet asnjë rast i ndëshkimit të zyrtarëve të lartë të policisë.

Lidhja me krimin

Një tjetër fenomen shqetësues që shfaqet herë pas here në radhët e bluve, është dhe lidhja e efektivëve të policisë me krimin apo trafikantë të ndryshëm. Ky fenomen, sipas burimeve të Ministrisë së Brendshme, është më i theksuar në zonat kufitare, ku edhe trafiku i klandestinëve është një veprimtari shumë fitimprurës. Gjithashtu, janë verifikuar të dhëna që tregojnë se segmente të caktuara të bluve apo edhe vetëm individë mbajnë lidhje me elementë kriminalë për përfitime personale. Burimet saktësojnë se mes 10 të ndëshkuarve, një pjesë e tyre i përkasin ish-policëve që mbanin lidhje të ngushta me trafikantë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›