E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aromë suksesi falë gjuhës së trupit...

Performanca mbresëlënëse e kompanisë teatrore Albanian Dance Theatre në Verën e Ohrit, e ka evidentuar trupën si një ndër më të suksesshmet në pellgun e Ballkanit. Një sërë ftesash kanë ardhur në adresë të trupës, drejtuar nga koreografi Gjergj Prevazi.

Mes emrave të njohur të muzikës e teatrit botëror në “Verën e Ohrit”, nuk mungoi performanca e të vetmes trupe të dance-teatrit në Shqipëri. Bëhet fjalë për kompaninë teatrore “Albanian Dance Theatre”, drejtuar nga koreografi i mirënjohur, Gjergj Prevazi. Duke tejkaluar parashikimet e mundshm,e trupa e rrallë në llojin e vet i solli edhe më shumë “freski” edicionit të  48-të të Festivalit “Vera e Ohrit” (Summer Ohrid Festival).

Por kjo nuk është e gjitha. Falë paraqitjes së tyre mbresëlënëse, Prevazi rrëfen se kanë marrë një numër të madh ftesash nga vende të ndryshme.

“Oferta e parë që morëm ishte për një festival në Milano, në shkurt. Gjithashtu, nuk munguan ftesa për bashkëpunime me trupa të vendeve të tjera. Një prej tyre ishte edhe ajo e regjisorit Popolski, i cili u shpreh me superlativa për shfaqjen tonë”, tregon koreografi. Gjithashtu, drejtori i kësaj kompanie tha për “Korrierin”, se trupa u paraqit me shfaqjet e shkurtra “Njeriu me këllëf”, nga Çehov dhe “Parfumi”, nga Suskin. Me anë të gjuhës së trupit, balerinët përcollën dy pjesë shumë të njohura nga letërsia ruse. Spektakli i dancit modern nga Tirana tërhoqi vëmendjen e qindra shikuesve, artistë vendas dhe të huaj, pjesëmarrës në këtë festival, që u organizua në mjediset e jashtme të Kishës mesjetare të “Shën Sofisë”. Gjithashtu, Prevazi shtoi se balerinat Aleida Kondaj, Milena Nurka, Filomena Gargano dhe Suela Hoxha, në shfaqjen e parë përcollën mesazhi çehovian të vetëkufizimit njerëzor, që përjetohet si dramë individuale. Më pas, së bashku me balerinin Elton Cefa, në pjesën “Parfumi”, artistet e reja sollën kompleksin tabu të seksit përballë shoqërisë moderne. Për afro një orë e 30 minuta artistët e rinj nga Tirana interpretuan në gjininë e teatrit të dancit modern në dy spektakle të mbushur me elementë skenikë dhe koreografikë në subjekte të veçanta letrare. Seleksionuesi i Festivalit, Jolevski, tha se “shfaqja të trondit emocionalisht, duke tejkaluar parashikimet e organizatorëve”. Ndërkaq, një tjetër regjisor, Ivan Popovski, u shpreh se në Ballkan ende nuk ka kërkime artistike të kësaj natyre dhe të këtij niveli. “Është befasuese që kjo shfaqje vjen nga Shqipëria”, tha regjisori Popovski, i cili në këtë edicion të Festivalit të Ohrit u paraqit me spektaklin “Katër stinët”, interpretuar nga një trupë moskovite. Kompania teatrore “Albanian Dance Theatre”, është themeluar në vitin 2000 dhe ka fituar simpatinë e publikut dhe specialistëve me shfaqjet “Tranzicion” dhe “Kontrast”, në bashkëpunim me kompaninë zvicerane “Carambole”.  Ajo është pjesëmarrëse në 11 festivale në vende të ndryshme si, Itali, Zvicër, Bosnje-Hercegovinë, Egjipt, Maqedoni etj. Regjisori-koreograf Gjergj Prevazi vjen për të tretën herë në Festivalin e Ohrit. Katër vjet më parë ai solli spektaklin “Kah vetvetja”, me trupën e Shkupit, në vitin 2006 u paraqit me pjesën “S’po dëgjohet gongu”, vënë në skenë me trupën e Baletit të Kosovës.  Festivali veror i Ohrit zgjat afro një muaj e gjysmë dhe në të paraqiten një gamë e gjerë gjinish artistike si, teatër, balet, muzikë koncertale dhe ekspozita të arteve pamore. Një fakt që vlen për t’u përmendur në edicionin e 48-të të festivalit, është edhe pjesëmarrja e katër emrave të njohur nga Shqipëria, mes të cilëve koncerti i sopranos Inva Mula, si dhe muzikantit Admir Doçi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›