Humb jetën aksidentalisht 17-vjeçari, ra nga skela
DIVJAKË - Një i ri nga Divjaka humbi jetën aksidentalisht mesditën e djeshme pasi ra nga një skelë me lartësi rreth 5 metra. Burime zyrtare të policisë së Lushnjës bënë të ditur se 17-vjeçari B.B. humbi jetën mesditën e sotme pasi ka rënë nga skela aksidentalisht. Grupi hetimor që ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, pas marrjes së informacionit po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Dyshohet se viktima nuk ishte i siguruar në punë. Prej disa kohësh kanë ndodhur një sërë aksidentesh në punë, duke shkaktuar një numër të konsiderueshëm viktimash. Ndonëse janë paralajmëruar masa dhe ndëshkime për firmat që nuk respektojnë kushtet e sigurimit teknik në punë, sërish, nuk ka sipërmarrës të ndëshkuar për aksidente të tilla.
Plagoset, parakaloi gabimisht me motor një kamion
SHKODËR – Drejtuesi i një motoçiklete ka mbetur i plagosur pasi u përfshi në një aksident që dyshohet se e shkaktoi vetë pas parakalimit të gabuar të disa automjeteve. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së martës, në orën 20:00 në komunën e Velipojës në rrethin e Shkodrës. H. Keshi, 44 vjeç, me banim në Velipojë, ka qenë duke udhëtuar në aksin rrugor që të çon nga Shkodra në Velipojë dhe kur është afruar te Plazhi, gjatë një parakalimi të gabuar të disa mjeteve, është përplasur me një kamion tip “Benz” me targa SH 6321 D, me drejtues K. Puçela, banues në Velipojë”. Si pasojë e kësaj përplasjeje, 44-vjeçari Keshi ka pësuar dëmtime dhe është dërguar menjëherë në Spitalin Rajonal Shkodër, ku ndodhet aktualisht jashtë rrezikut për jetën.
21 Gusht 2008