E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhufi: Punë që bëhet

Përmirësimi i sistemit zgjedhor

Lëvizja Socialiste për Integrim mendon se ka ende kohë që forcat politike të arrijnë një pikë pajtimi për përmirësimin e sistemit të ri zgjedhor, përkatësisht proporcionalit rajonal të miratuar me ndryshimet kushtetuese të 21 prillit. Pëllumb Xhufi, zëvendëskryetar dhe kryetar i grupit të deputetëve të LSI-së dhe PDS-së, thotë se në rast se kjo nuk realizohet, atëherë forcat e vogla politike do të duhet të denoncojnë partitë e mëdha për komplot.

Xhufi thotë se me Kodin e ri Zgjedhor mund të bëhen disa rregullime, në mënyrë që partitë e vogla të mos dëmtohen nga sistemi elektoral. Sipas tij, ka akoma kohë që këto forca politike të ndikojnë, madje ai thotë se për këtë, forcat politike të tjera duhet ta kërkojnë këtë të drejtë të tyren. “Të gjitha partitë e kanë tagrin për të marrë pjesë në procesin e përpunimit të Kodit të ri Zgjedhor. Kjo është në princip, nuk ka parti të mëdha, nuk ka parti të vogla. Një parti e vogël mund të sjellë një kontribut më të madh dhe më konstruktiv për Kodin”, thotë Xhufi për “Korrierin”. Duke iu referuar rastit konkret në vendin tonë, Xhufi thotë se përvoja ka qenë e keqe, sidomos në dy zgjedhjet e fundit, ato të vitit 2005 dhe ato të vitit 2007. “Kemi pasur një akaparim të procesit zgjedhor nga dy partitë të ashtuquajtura të mëdha dhe rezultatet janë para syve të të gjithëve, edhe para komunitetit ndërkombëtar që i ka denoncuar si të dështuara këto zgjedhje”, thotë Xhufi. Sipas tij, procesi zgjedhor ka filluar si një duet mes dy forcave të mëdha politike, duke dhënë rezultate katastrofave, siç janë ndryshimet kushtetuese dhe adoptimi i sistemit proporcional rajonal. “Tani shpresa është që të rregullohet diçka nëpërmjet Kodit të ri, diçka mund të rregullohet dhe për këtë po luftojmë, po luftojmë pa paragjykime, në jemi parti më e madhe apo parti më e vogël. Po luftojmë sepse gjykojmë që kjo është e drejtë”, vijon Xhufi. Ndërkohë, i pyetur se çfarë do të bëjnë në rast se Kodi i ri Zgjedhor është në disfavor të forcave të vogla politike, Xhufi thotë se atëherë partitë e vogla do të denoncojnë dy forcat kryesore”. Partitë e vogla do të denoncojnë partitë e tjera, këtë do të bëjmë ne. Do ta denoncojmë si një komplot, si një komplot i ri kundër demokracisë, si një tentativë për të kapur politikën”, thotë Xhufi, duke shtuar gjithashtu se kjo do të tregonte përfundimisht se politika është e kapur nga interesat e grupeve okulte. Ndërsa kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së mendon se ka akoma kohë për të ndryshuar diçka dhe për të ndikuar tek Kodi i ri Zgjedhor, e kundërta ndodh në kampin e djathtë. Homologu i Xhufit, republikani Arjan Madhi, në një prononcim të mëparshëm për “Korrierin” tha se nuk shpresonte që partitë e vogla të mund të ndikonin më në hartimin e Kodit Zgjedhor, sepse sipas tij, procesi politik është përcaktuar tashmë. Sipas Madhit, forcave të vogla politike tashmë u mbetej vetëm orientimi nëpër koalicione dhe gjetja e një formule bashkëpunimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›