10 shtëpitë misterioze të Shqipërisë
TemA e nxehtë e së shtunës
Nga Bledi Mane
facebook.com/bledi.mane
Mblidheshin në shtëpinë e Myderriz Ismail Efendi Ndroqit dhe diskutonin për Tiranën e së nesërmes. Ishin të gjithë patriotë shqiptarë por me mentalitetin e plogësht otoman në mendje kishin filluar të vizatonin kryeqendrën e vendit tonë. Abdi Toptani, Myhtesim Këlliqi, Osman Myderrizi, Eshref Frashëri, Abdullah Mehmeti, Myhedin Llagami, Ali Bega e burra të tjerë filluan qysh në Tiranë përgatitjet e Kongresit të Lushnjes së 1920-ës ku një nga propozimet dhe vendimet historike ishte shpallja e vetë Tiranës kryeqytet i Shqipërisë.
91 vite rresht kjo Tiranë e lodhur dhe rilindur, e plakur dhe ngjyrosur, e re dhe e krimosur, ish komuniste dhe e droguar, e luksit dhe e pangopur, analfabete dhe dixhitale u bë strehë e miliona frymëve dhe qindra mijëra familjeve ndër dekada. Kemi përzgjedhur me kujdes sipas çdo dekade 10 nga familjet më me emër, shtëpitë e të cilëve gjithmonë janë mbuluar nga tisi i mistershëm i gojëdhënave apo të të vërtetave. 10 shtëpi të cilat brenda mureve të tyre mbrunin mendje, personalitete dhe ngjarje që konturuan më bukur profilin e një kryeqyteti, i cili kacafytet çdo sekondë mes Oksidentit dhe Orientit si për ti treguar botës se finalizimi i enturazhit tonë janë dhe mbeten 12 yjet e verdhë mes flamurit blu të BE-së.
1-Frashërllinjtë (Mit’hat Frashëri)
Një shtëpi e bukur, e hijshme e pastër në rrugën që sot quhet “e Barrikadave” gjatë kohës së monarkisë kishte brenda saj librarinë dhe bibliotekën më interesante të kohës. Djali i rilindasit të shquar Abdyl Frashëri, Mit’hati pasi në vitin 1926 dha dorëheqjen nga detyra e ambasadorit në Greqi u kthye në Shqipëri dhe hapi librarinë me emrin “Lumo Skëndo”, e cila u kthye në qendrën më të rëndësishme kulturore ku të gjithë intelektualët dhe elita aty ushqeheshin me libra. Ishte njëkohësisht edhe baza ku debatohej dhe kuvendohej rreth nacionalizmit modern dhe vendi ku hodhi themelet organizata politike “Balli Kombëtar”. Përveç botimeve shqiptare që ishin të pakta, Mit’hati ishte i abonuar në agjencitë e mëdha botuese të Evropës prej nga vinin botime të të gjitha zhanreve, sidomos ato që lidheshin me Shqipërinë, me çështjen shqiptare, sepse ajo ishte akoma e pazgjidhur dhe e shtruar në tryezat e ndërkombëtarëve. Ndaj Frashëri vlerësonte botimet e Justin Godardit, Hebertit dhe Durhamit. Ende edhe sot në arkivën e Bibliotekës Kombëtare ruhet fondi i artë i 17 mijë librave, të cilat frashërlliu mendjendritur ia le testament shtetit shqiptar.
2-Markot (Petro Marko)
Ndryshe nga vila e bukur Lumo Skëndo, shkrimtari bregdetas Petro Marko u vendos me shtëpi nga regjimi komunist në një nga apartamentet tipike sovjetike në afërsi të bulevardit Zogu I përballë Ministrisë së Drejtësisë. Një nga familjet më kontraverse që ka parë Shqipëria dhe Tirana gjatë shekullit të kaluar, Markot ku bënin pjesë ish luftëtari i Spanjës Petro, gruaja e tij piktorja Safo, djali Jamarbër dhe vajza Aranita gjithmonë janë admiruar në heshtje nga qytetaria e vërtetë. Të persekutuar, të anatemuar, të vlerësuar, të dërmuar, të dënuar, të dehur, të spiunuar Markot kishin brenda mureve të shtëpisë së tyre çdo gjë. Art, letërsi, perversitet, opozitë, dekadencë. Ende pjesa e mbetur e familjes vazhdon të jetojë në të njëjtin apartament, por piktorja Safo lëngon mes varfërisë & vdekjes ndërsa e bija Aranita e mbetur pa shokët e saj më të mirë babain dhe të vëllain përmendet shpesh si vajza që i çndrydhi tiranaset e devijuara seksualisht.
3-Shehajt (Mehmet Shehu)
E vranë a vrau veten pak rëndësi ka për rubrikën tonë. Sot po u shkruajmë për vilën mitike të tij vendosur në hyrje të Bllokut ku deri në fillim të vitit 1981 aty brenda kishte një copëz Shqipërie tjetër. I ngrysur nëpër tribuna, i egër me kundërshtarët dhe armiqtë por tepër soft me fëmijët e tij, mallakastrioti bektashi Mehmet Shehu ndryshe nga çfarë predikonte jetonte mes dy realitetesh. Në Tiranën e varfër mbajnë mend se veçanërisht një prej djemve të tij Bashkimi ishte kthyer në njeriun ku mund të shikoje dhe nuhasje pak perëndim. Në veshje, në qethje, në arsimim, në mentalitet, në sjellje Shehu i ri kishte filluar të trondiste paksa bolshevizmin standard të lagjes ku jetonte. E kishte kthyer vilën e mistershme në oazin ku flitej kundër regjimit,lexohej kundër regjimit, argëtohej kundër regjimit dhe tallej regjimi të cilin i ati e kishte ndërtuar vetë derisa ia hëngri edhe kokën.
4-Zhejt (Petro Zheji)
Fis me emër këta zagoriotët Zheji, por emblema e tyre mbetet Petro. Rëndom e njohin si babai i opinionistit leshator Artur Zheji, por janë miliona vite drite larg njeri-tjetrit. Petro është pjesë e memories intelektuale të Tiranës me dy shekujsh. Ishte akademia mobile ku shkonin mësonin e rrëfeheshin jo vetëm mendjet e ndritura, por edhe sigurimsat e Tiranës, të cilët gjithmonë shtangeshin nga aureola mistike që mbronte Petron. Banesa e tij në afërsi të 21 Dhjetorit ishte shtëpia pa porta ku 24 orë kushdo ishte i mirëpritur të shkonte. Poeti lezhian, i ndjeri Ndoc Gjetja shkruan kështu:
“Petro Zheji është njeriu që kujtoj shpeshherë. Në kohën e monizmit kemi derdhur lumenj bisedash, pothuajse përditë e për gjithçka, që nga problemet e galaktikave e deri te kotherja e bukës. Për rreth dy vjet kam qenë magjepsur pas figurës së tij poliedrike dhe jetës boheme që bënte, pas fanepsjeve të tij profetike për gjuhën shqipe e, në përgjithësi, për gjithçka që e mundon njeriun përkundruall misterit të dijes e të padijes. Në bisedat tona asnjëherë ska munguar tema e antienverizmit. Ia kemi hapur zemrën njëri-tjetrit me sinqeritet fëmije dhe i kemi qëndruar njëri-tjetrit me një besnikëri që mua më duket e pakundshoqe. Po të kishin rënë fjalët tona në veshët e Sigurimit të Shtetit, mund të rraseshim në shtëpitë pa qira jo më pak se njëzet vjet secili….
5-Pashkot (Gramoz Pashko)
Vila e tyre është prishur tashmë. Në fakt nuk ishte pronë e Pashkove, por e konfiskuar nga regjimi komunist iu dha të atit Josif Pashko. Ndodhej në një xhep të gjelbëruar të rrugës së Elbasanit ndërtuar gjatë mbretërimit të Zogut. Vila e Gramozit siç njihej rëndom në Tiranë gjatë viteve ’80 u kthye në bazën e polemizmit dhe disidencës anti- regjim. Pihej verë e flitej për ekonomi tregu, diskutohej letërsia dhe arti dekadent, u jepeshin intervista “Zërit të Amerikës”, i numëroheshin ditët regjimit të kalbur dhe skicohej pluralizmi i brishtë shqiptar. Hynin e dilnin në atë shtëpi emrat e përkëdhelur të regjimit monist, të cilët po ia thurnin fundin. Mes Pashkos, bashkëshortes Mimozës, Genc Rulit, Berishës, Leka Meksit, Kadaresë… dëgjonte e hutuar edhe nusja tjetër e Pashkove Rajmonda Bulku, e cila në shushatje e sipër vetëm duartrokiste si e mpirë. Vila e Pashkove ka qenë strehëza e prokurorit gjakatar kryefamiljarit kolonjar Josif dhe njëkohësisht shtëpia ku lindi Partia Demokratike.
6-Gushot (Lasgush Poradeci)
Diku mes rrugicash pas Ministrisë së Shëndetësisë, atje ku rëndom gjeje nxënës nga gjithë Shqipëria që kishin ardhur në Tiranë të mësonin si gatuhej, pranë shkollës së kuzhinës qëndron shtëpia e lirikut më të madh shqiptar Llazar Gusho. Arkitekturë e fisshme,e errët brenda, por me dritën që buçiste sa herë fliste dhe shkruante Lasgushi. Pa kyç në derë edhe kjo shtëpi mirëpriste veçanërisht artistë dhe shkrimtarë të cilët si në strehëzën e hebreut të krishterë Shën Thoma shkonin rrëfeheshin jo vetëm për letërsi e art.
7-
