E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drone-t amerikanë goditen nga virusi

Drone-t amerikanë, avionë pa pilot, që janë përdorur në një sërë aksionesh në Pakistan e Afganistan, dhe që ekzekutuan së fundmi në Jemen një nga liderët më të fuqishëm të Al Kaedas, janë prekur nga një virus kompjuterik. Ata janë në gjendje që të vijojnë aksionet e tyre, por piloti që i drejton ata nga një bazë në Nevada, thotë se çdo herë shtypin butonat dhe çelësat, ato regjistrohet nga virusi.

Specialistët druhen se të dhënat e kapura nga virusi mund të jenë transmetuar në internet dhe mund të kenë rënë në dorë të terroristëve.

Së fundmi Shtetet e Bashkuara kanë nisur të varen tek këta avionë për luftën ndaj terrorizmit.

Megjithëse një i tillë kushton nga 10 milion deri në 30 milion dollarë, ata vlerësohen shumë për shkak se nuk rrezikojnë jetën e pilotëve. Për më tepër, SHBA i përdor ato në zona ku nuk u miratohen operacionet ushtarake. Viktima e profilit më të lartë që kanë shkaktuar drone-t është ajo e një drejtuesi të Al Kaedas në Jemen. Mendohet se që kur Obama mori detyrën, flota e tyre, e drejtuar nga CIA, e përbërë nga 30 drone, ka kryer 230 aksione në Pakistan. Deri më tani janë vrarë më shumë se 2 mijë terroristë dhe civilë në këto sulme. Këto avionë goditën në Libi plot 92 herë nga prilli deri në gusht.

Drone-t u përdorën për herë të parë në luftërat në ish-Jugosllavi. Për herë të parë një i tillë u fotografua nga media perëndimore në Gjadër të Lezhës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›