E Diel, 1 Nëntor 2026

10 sipërmarrës italianë “inspektim” në Veri

09/05/2005  Biznesmenët po shikojnë mundësi të investimeve të reja, në zonën veriore të vendit

RRESHEN – Sipërmarrës italianë, kanë ardhur për të “inspektuar” veriun e vendit, për mundësi investimi. Për këtë qëllim, sipërmarrës të dhjetë kompanive italiane, janë mbledhur dy ditë më parë në qytetin e Rrëshenit, te Qendra Profesionale “Shën Jozefi Punëtor”, me qëllim shprehjen e interesit për investime të pritshme, në rajonet Veriore të Shqipërisë.

Sipas burimeve, mësohet se takimi është bërë i mundur nga Instituti Italian për Tregëtinë e Jashtme (ICE), dhe ka si qëllim lidhjen e biznesit italian me atë shqiptar, sidomos të zonës së Veriut. Qëllimi i takimit ishte i lidhur me shkëmbimin e informacionit të nevojshëm dhe për t’u njohur me burimet e shfrytëzueshme natyrore e ekonomike që afron zona e Mirditës por edhe Veriu në përgjithësi. Në Rrëshen kanë mbërritur dy ditë më parë, përfaqësues të sipërmarrjeve italiane nga 10 firma të njohura, të cilat kanë edhe aktivitete të tjera në vendin tonë.

Emidio D’Erico, në cilësinë e mikpritësit tha për të pranishmit dhe për median se, ishte i lumtur që kjo iniciativë fillon pikërisht në këtë shkollë që përgatit punëtorë për tregun e punës. Sipas tij, do të ishte e kënaqshme që nxënësit që dalin nga kjo shkollë, të gjejnë mundësi punësimi në vendin e tyre dhe kjo do të bëhet e mundur falë nismave të tilla, të cilat do të fuqizohen dhe konkretizohen në të ardhmen.

Ndërsa Konsulli italian me qendër në Shkodër, Roberto Orlando, tha se “konsullata dhe Ambasada italiane, do të jenë gjithnjë e më shumë një mjet, i cili do të jetë në dispozicion, jo vetëm për të ndihmuar shqiptarët për të ikur, por edhe për të qëndruar”.

Drejtuesit e pushtetit vendor të rretheve Mirditë, Rrëshen, Shkodër, etj., janë ndalur më tej, më gjatë në mundësitë që ofrojnë krahinat e tyre për investimet e huaja, dhe veçanërisht atyre italiane. Drejtoresha e ICE, Institutit Italin të Tregëtisë, Elisa Maria Fioca, ka shprehur gatishmërinë dhe iniciativat që kanë të bëjnë me këtë kooperacion të rëndësishëm për zonën, siç e cilësoi ajo.

“Gjithë kjo zonë e verilindjes së Shqipërisë, falë bisnezmenëve, do të bëhet e njohur në biznesin italian”, deklaroi Fioca, duke i bërë thirrje investitorëve italianë, që të konsiderojnë mundësitë dhe resurset në zonat veriore shqiptare, për të kontribuuar në zhvillimin e tyre, sigurisht, duke rritur edhe fitimet e tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›