E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mangësitë e dukshme, pengesë e zhvillimit të bujqësisë

09/05/2005  Megjithëse ky sektor konsiderohet me kontributin më të madh

SHKODER - Bujqësia llogaritet sot, si sektori me kontribut kryesor në ekonominë e Qarkut Shkodër, dhe e tillë do të jetë edhe për shumë vite, por përsëri mangësitë janë të dukshme, prandaj duhet patjetër të ndërmerren strategji të shumta zhvillimi të kësaj fushe në zonën e Shkodrës. Ky ka qënë konkluzioni i një studimit të specialistëve të buqësisë të Qarkut të Shkodrës, në lidhje me fushën e gjerë të bujqësisë në zonën e Shkodrës, e parë kjo në aspektin e një qendre të madhe të të gjithë veriut të Shqipërisë.

Pengesat

Por, me gjithë dashurinë dhe kërkesat e fermerit për produktet bujqësore, vihen re një sërë faktorësh që, po e pengojnë bujqësinë dhe blegtorinë të ecë me ritmet e kërkuara. Kështu, në qarkun e Shkodrës, ndër faktorët kryesorë që po bëhen pengesë në këtë fushë janë, cilësia jo e mirë e farërave dhe e fidanëve, imputet me çmime të larta, mungesa e përmirësimit të rracave, toka tepër e fragmentuar dhe sistemi jo i rehabilituar i ujitjes dhe i kullimit, mungesa e sistemit të marketingut, pasi vërehet mungesa e pikave të grumbullimit në fshatra e komuna, si dhe mungesa e tregut të shumicës.

Specialistët kanë vërejtur se në këtë qark, përgjithësisht mungojnë edhe qendrat e përpunimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale, si dhe ato të ruajtjes së këtyre produkteve, pa harruar edhe standartizimin, ambalazhimin dhe etiketimin, që aktualisht është në nivele mjaft të ulëta.

Studimi ka nxjerrë përfundimin se, për fermerin, në qarkun e Shkodrës, mjaft shqetësuese janë fermat mjaft të vogla që kryesisht po prodhojnë për konsum vetjak, kjo edhe për mungesë të anës financiare për të investuar në këtë sektor jetik. Në këtë kuadër, fermerët nuk janë ndërgjegjësuar ende, për bashkimin e prodhimit të fermave të tyre.

Faktor tjetër pengues në zhvillimin e bujqësisë me ritme të shpejta, është edhe shkalla e ulët e mekanizmit, ku rreth 70 për qind e tyre janë pa agregatët e nevojshëm, si dhe rënia e ndjeshme e përdorimit të plehrave kimikë, që ka ardhur si rezultat i çmimeve të larta të blerjes, cilësisë së dobët dhe mos vlerësimit siç duhet, të vlerës së përdorimit të tyre nga fermerët.

Avantazhet

Sipas këtij raporti të specialistëve, rritja e të ardhurave nga ky sektor, mbetet alternativa kryesore e zhvillimit ekonomik të këtij rajoni, pasi në fshat, aktualisht banojnë rreth 58 për qind e popullsisë dhe mund të punësojnë rreth 45 për qind e krahut të punës, të cilët nxjerrin 45-50 për qind të prodhimit bruto.

Të dhënat për Qarkun Shkodër, pra për të tre rrethet, Shkodër, Malësi e Madhe dhe Pukë, flasin për 45 390 fermerë, që kanë një sipërfaqe mesatare nga 0.6 deri në 1.2 ha tokë. Rolin kryesor e luajnë fermerët e rrethit të Shkodrës, që sot numërohen 28 868 të tillë, kundrejt 9 594 të rrethit të Malësisë së Madhe dhe 6 928 të rrethit të Pukës.

Përveç anëve negative, vihen re edhe anë pozitive të këtyre fermerëve, siç është përshtatja e prodhimeve të tyre me ekonominë e tregut, e cila është vënë re sidomos vitet e fundit, pas privatizimit të bujqësisë, ku fermerët, në strukturën e kulturave bujqësore, kanë bërë ndryshime që kanë rezultuar në uljen e sipërfaqes së drithërave të bukës dhe rritjen e sipërfaqes së perimeve e sidomos foragjereve, duke e dyfishuar sipërfaqen e tyre të mbjellë, pra, kanë bërë një ndryshim të dukshëm me ish- bujqësinë e përqendruar të para viteve ‘90. Madje, kjo tendencë është duke vazhduar që të konsolidohet në komuna të veçanta. Përveç kësaj, kohët e fundit vihet re një tendencë në rritje e ndërtimit dhe përdorimit të serave, si një investim i domosdoshëm për rritjen e prodhimit, që ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e nivelit ekonomik të disa fermerëve. Duke iu referuar shifrave të specialistëve të qarkut Shkodër, në vitin 2004, në këtë rreth serat zinin 12 ha dhe duke parë tendencat në rritje në këtë drejtim, parashikimi i tyre për 2005, flet për një sipërfaqe prej 60 ha me sera. Kryesisht, këto sera mbillen me bimët tradicionale, domate, tranguj, kunguj, që kërkohen më shumë nga tregu.

Pengesat

Cilësia jo e mirë e farërave dhe e fidanëve

Imputet me çmime të larta

Mungesa e përmirësimit të rracave

Toka tepër e fragmentuar

Sistemi jo i rehabilituar i ujitjes dhe i kullimit

Mungesa e sistemit të marketingut

Mungesa e qendrave të përpunimit e ruajtjes së produkteve

Mungesa e standartizimit

Mungesa e ambalazhimit dhe etiketimit

Ekzistenca e fermave mjaft të vogla

Shkalla e ulët e mekanizmit

Rënia e ndjeshme e përdorimit të plehrave kimikë

Avantazhet

Përshtatja e prodhimeve me ekonominë e tregut

Rritje e ndërtimit dhe përdorimit të serave

58 për qind e popullsisë

banues në fshat

45 për qind e krahut të punës

punësuar në bujqësi

45-50 për qind të prodhimit bruto

nga sektori bujqësisë

45 390 fermerë

Qarku Shkodër

28 868 fermerë

Rrethi Shkodrës

9 594 fermerë

Rrethi Malësisë së Madhe

6 928 fermerë

Rrethi Pukës

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›