E Diel, 1 Nëntor 2026

Formula, si ta gjeni nëse jeni mbipeshë

09/05/2005  Mjekët kanë formulën e tyre të llogaritjes. Një shëndet normal ndihmon në përballimin e sëmundjeve, sidomos te fëmijët, ndërsa mbipesha, kryesisht te moshat e mëdha, shkakton sëmundje

Dikur, shqiptarët ishin të dobët nga paushqyerja dhe shëndetin e quanin dhuratë nga Zoti, ndërsa tani janë pacientë të sëmundjeve “të luksit”, duke harxhuar mijëra lekë për dobësim e ilaçe

Çdo njeri është i interesuar për të njohur se cila është pesha e tij normale. Mjekët kanë formulën e tyre të llogaritjes, që nuk është gabim që ta dinë të gjithë njerëzit. Kështu që, për të përcaktuar kategoritë e peshës; nënpeshën, mbipeshën, peshën e tepruar dhe peshën normale të trupit, ekspertët marrin peshën trupore e shpehur në kilogramë, dhe e pjesëtojnë atë me gjatësinë trupore në katrorë, e shprehur në metra. Më së shumti, këtë mënyrë e përdorin mjekët pediatër, për të marrë vesh se cila është pesha normale për fëmijët. Por, nuk është gabim që të përdoret nga çdo njeri, sidomos përpara se t’i hyjë ndonjë diete. Mjekët thonë se, një person mund të hyjë në kategorinë e nënpeshës trupore, kur treguesi i masës së trupit është më pak se 18. 5; në kategorinë e mbipeshës, atëherë kur ky tregues është më i lartë se 25 por më i ulët se 30; me peshë të tepruar, kur treguesi i masës trupore është mbi 30. Pra, gjatësinë e shumëzon për dy, pastaj peshën trupore e pjesëton me vlerën që të del nga gjatësia dhe gjen treguesin. Në bazë të këtij treguesi përcakton se sa kilogram duhet të biesh. Në mënyrë që të biesh pa kaluar në nënpeshë, duke dëmtuar shëndetin.

Mjekët thonë se nënpesha është po aq shkaktare e sëmundjeve saç është dhe mbipesha, vetëm se ndryshon natyra e sëmundjeve.

Kur njerëzit ishin të dobët

Deri para viteve 90, duke qenë se popullsia ishte e varfër dhe numri i fëmijëve të shëndoshë ishte shumë i ulët, të gjithë prindërit luftonin që të shëndoshnin sadopak fëmijët e tyre. Kjo, pasi shëndeti i mbronte nga sëmundjet, sidomos nga të ftohtët. Por, jo vetëm të vegjelit, njerëzit ishin kockë e lëkurë dhe kur rriteshin. Nga kjo kohë na ka ardhur dhe shprehja “gjak e dhjamë”, sidomos fjala e dytë është shumë e urryer për rininë tani. Por, tani vetëm banorët e zonave rurale vuajnë nga nënpesha.

Tani, vuajmë nga sëmundjet e të pasurve

Në zonat urbane fëmijët, por dhe të rriturit, vuajnë nga mbipesha. Tek të rriturit nga mosha 25 deri 35-vjeç, mjekët kanë vënë re se janë shtuar numri i pacientëve me diabet, tension të lartë, apo dhe infrakt. Kjo, si nga pesha trupore, ashtu dhe nga streset. Pra, tani kanë nisur të ndihen dhe në Shqipëri sëmundjet e “të pasurve”. Nuk ka ndonjë statistikë, pasi ende nuk mbahen statistika, qoftë dhe për qëllime shkencore, por mjekët nuk kanë se si të mos i vënë re këto dukuri.

Eleganca si mani

Shumë vajza, por edhe djem, sidomos para stinës së verës, nisin dietat për t’u dobësuar. Kjo, pasi format e kërcyera deformojnë linjat e trupit. Por, nisin të mbajnë dieta drastike, duke humbur tre-katër kile dhe brenda një jave. Kjo është krejt e pakëshillueshme, jo vetëm sepse dëmtohet stomaku, duke shkaktuar gastrit, apo ulçer, por dhe se humbasin gjithë lëngjet e trupit dhe vitaminat. Ndërkohë, stomaku herë duke u “mbushur” e herë duke u “zbrazur”, vjen një moment që i pranon ushqimet me vështirësi, duke shkaktuar “të vjella”. Ka dhe raste kur vajzat i provokojnë vetë “të vjellat” pas një të ngrëne të mirë.

Dieta më e mirë, ushtrimet fizike

Dieta më e mirë, por që vazhdon gjatë dhe do durim, janë ushtrimet fizike. Vrapi dhe ushtrime të posaçme për barkun, krahët dhe kraharorin, janë metoda më e mirë për t’u dobësuar. Por, duhet patur kujdes. Jo kur bën palestër të shtosh të ngrënën. Pavarësisht se të merr uria, nuk duhet ngrënë pas palestrës, apo vrapit. Pa ulur sasinë e zakonshme të të ngrënit, për të pësuar rënie peshe që bie në sy, duhet një vit rresht, nga 1 orë në ditë. Ndërkohë sauna, apo banjo turke, është e mirë për të hequr dhjamrat e nënlëkurës, si dhe pastron lëkurën duke e rigjeneruar.

Dhe për të mbajtur peshën e fituar, është mirë që të vazhdosh gjithë jetën palestrën.

Dietat, shiten më tepër se 45 milionë libra

Janë shitur më tepër se 45 milionë libra dietash, por studiuesit bëjnë të ditur se Atkini dhe dieta të tjera për uljen e karbohidrateve, nuk i ndihmojnë njerëzit që të ruajnë peshën e humbur. Provat klinike të dietave për uljen e karbohidrateve, tregojnë një humbje më të madhe në peshë për gjashtë muaj, sesa dietat për humbjen e kalorive tek pacientët obezë, por pas 12 muajsh nuk ka më asnjë ndryshim mes dy grupeve. "Nuk ka asnjë tregues se dietat Atkin janë më të mira sesa dietat e tjera për të ndihmuar në ruajtjen e peshës së arritur, megjithë popullaritetin dhe suksesin e dietës Atkins", u shpreh Arne Astrup, i Universitetit RVA në Kopenhagë, Danimarkë. "Gjatë gjashtë muajve, ka tregues të qartë se dieta Atkins ndihmon në uljen e peshës. Nuk bëhet fjalë për humbje lëngjesh, por për humbje të dhjamrave të trupit", u shpreh Astrup në një intervistë. "Bashkë me humbjen e peshës, ndodhin gjithashtu edhe ndryshime të tjera ndaj faktorëve të rrezikshëm si sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti i tipit 2", shtoi ai.

Kur eleganca të kushton shtrenjtë

Konceptet mbi shëndetin ndryshojnë nga viti në vit, bashkë me të dhe koncepti mbi të bukurën. Tashmë, të kesh trup mesatar, quhesh e shëndetshme, dhe je elegante dhe në modë kur je e dobët, tre, katër kile nën peshë. Kështu që, shumë vajza, rrinë gati gjithë jetën në dietë, për të ruajtur elegancën. Por, trupi ka peshën e vet të trashëguar, me të cilën ndjehet i mbrojtur, dhe më pak i “sulmuar” nga sëmundjet. Rrjedhimisht, shpesh të dalësh kundër asaj çfarë të ka dhënë Zoti, është e rrezikshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›